Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e radhës të ish-zëvendës ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i cili kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë ‘arrest në burg’ dhe lirimin nga qelia. Ai akuzohet nga SPAK për dosjen e Sterilizimit, dhe për të, është kërkuar në pretencë dënimi me 10 vite burg. 

Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, nëse Rjepaj shpallet fajtor, përfiton uljen e 1/3 së dënimit, duke zbritur në 6 vite e 8 muaj burg. Në total për 8 të pandehurit, SPAK ka kërkuar 36 vite e 6 muaj burg. Ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do gjykohet në proces më vete.

Sipas SPAK, të pandehurit kanë kryer shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj. Prokuroria e Posaçme thotë se në dhënien e koncesionit të akuzuarit nuk kanë respektuar ligjin dhe kanë shpërdorur detyrën, ndërkohë që sipas akuzës, Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj. 

Sipas SPAK, rezulton e provuar se ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Dhënies së Koncesionit, është personi, i cili ka kryer të gjitha veprimet e përllogaritjeve financiare për sterilizimin, të cilat i ka ndryshuar disa herë me qëllim që të ishin në vlera të pranueshme nga Ministria e Financave, me qëllim miratimin e koncesionit.

Rjepaj, sipas SPAK, ka bashkëpunuar ngushtë me biznesmenin Ilir Rrapaj gjatë periudhës përgatitore të projektit, procedurën e tenderimit dhe dhënies së koncesionit deri në firmosjen e kontratës, me qëllim shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë, ku pjesëmarrës me 40% është subjekti tregtar “Investital Llc” të Ilir Rrapajt.

Ky subjekt tregtar sipas SPAK është krijuar në Prishtinë vetëm një muaj pasi kishte fluturuar me ministrin Beqajt dhe zv. Rjepaj në një udhëtim të përbashkët. SPAK thotë se të tre kanë udhëtuar së bashku me avion edhe pas shpalljes fituese të koncesionit.