Policia Rrugore e Durrësit ka bërë bilancin për dy ditët e fundit. Përmes një njoftimi bëhet me dije se gjatë këtij intervali kohor janë arrestuar dhe do të hetohen në gjendje të lirë 7 persona.
Drejtuesit e automjeteve të cilët kanë shkaktuar edhe aksidente janë konstatuar nga blutë nën efektin e alkoolit.
Njoftimi i plotë:
Shërbimet e Policisë Rrugore vijojnë monitorimin e qarkullimit të mjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve, evidentimin dhe ndëshkimin e shtetasve që drejtojnë automjetet në mënyrë të parregullt dhe/ose shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Si rezultat i monitorimit, gjatë 2 ditëve të fundit, janë arrestuar/proceduar penalisht 7 shtetas që drejtonin automjetet, në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit:
-G. K., 42 vjeç, banues në Durrës, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, në aksin rrugor “Sukth-Maminas”, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin A. H., 21 vjeç. Nga aksidenti janë shkaktuar dëme materiale;
-G. B., 43 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, në lagjen nr.1, Durrës, ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin E. Xh., 22 vjeç, dhe është larguar nga vendi i aksidentit, nga i cili janë shkaktuar dëme materiale;
-B. J., 39 vjeç, banues në Shijak, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, në aksin rrugor “Shkozet-Shijak”, ka përplasur automjetin me drejtuesin shtetasin M. P., 39 vjeç;
-M. Sh., 22 vjeç, banues në Shijak, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi;
-A. F., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
-A. B., 47 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur;
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. Gj., 49 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Monitorimi i qarkullimit rrugor do të vijojë në të gjitha akset rrugore të qarkut.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve dhe për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi vetëm në këtë mënyrë kontribuojnë në misionin e përbashkët, garantimin e sigurisë rrugore.
Komente










