Molla mbante kontakte të vazhdueshme me shtetasin Kosovar Arif Çiço me të cilin komunikonte nëpërmjet kodeve.
Në një nga bisedat e kryera ka rezultuar se Molla ka dërguar në Prizren korrierin e tij Arben Prendi të cilit i ka paguar 8 mijë euro në lagunën e Patokut, duke i thënë Çiços se po i vinte ai shoku i tij dhe duhet ti bënte gati “Iphone 6”, duke nënkuptuar sasinë e heroinës.
Në fakt bëhej fjalë direkt për sasinë e heroinës që Prendi do merrte në Prizren nga Çiço, e cila ishte futur në një valixhe udhëtarësh. Ndërkohë më tej përgjimet telefonike tregojnë se sapo Molla vihet në dijeni të kapjes së korrierit, ai njofton krahun e djathtë të tij Myftaraj, duke i thënë që ti mbyllin telefonat.
Molla realizon dhe një telefonatë tjetër me vllain Dritanin, duke i pohuar “...Shko në shtëpi dhe merri ato lekët që janë në shtëpi, mbaji ti ose merri çoji në Bankë, e di Lola (gruaja e Jurgenit), se është problem.
Unë po lëviz”. Tashmë kjo çështje është dërguar në gjykatë me 10 të pandehur është dërguar në gjykatë nga Prokurori Eugen Beçi, e cila pritet që ti nënshtrohet gjykimit në ditët në vijim.
Pjesëtarë nga grupi kriminal janë biznesmeni i ndërtimit Jurgen Molla dhe 9 persona të tjerë. Organizata me përbërje shtetas nga Vlora, Tirana, Turq dhe Kosovarë.
Shqiptarja.com zbardh të plotë dosjen e prokurorisë dhe bisedat e përgjuara të grupit.
Të pandehur
1. Jurgen Molla,
2. Shyqyr Kotorri
3. Anest Koromani
4. Arif Çiço
5. Enver Kurtuluş shtetas turk
6. Abubekir Tuncdemir shtetas Turk
7. Blerim Ukimeraj
8. Elmi Thaqi (Thaçi)
9. Klaudio Veizaj në kërkim
10. Orges Myftaraj në kërkim
Në kuadër të operacionit “Ballkan 2014”, janë ndjekur në vijimësi me forma të ndryshme të punës operative shtetasit si vijon:
Shqiptarët – Jurgen Molla, Orges Myftaraj, Klaudio Veizaj, Emiljano Roli, Isuf Roli, Arben Prendi, Anesti Koromani, Shyqyr Kotori, etj;
Kosovarët – Arif Çiço, Hysni Hoxha, Blerim Ukimeraj, Ljubisa Orgarevic, Milislav Perovic;
Turqit – Abubekir Tuncdemir, Enver Kurtulus, Mehmet Kulug, Ahmet Koroglu;
Somalezët- Khalid Ahmed Sharif, shtetasin maqedonas Metin Agani, Kjemal Ali, shtetasin bullgar Ivan (Asenov) Kabov.
Rasti i parë
Gjatë muajit qershor 2015, shtetasit Jurgen Molla, Arif Çiço, Abubekir Tuncdemir, kanë realizuar një sërë takimesh në Kosovë dhe në Shqipëri, në funksion të arritjes së marrëveshjes për trafikimin e një sasie heroine, e cila do të sigurohej nga shtetasi Abubekir Tuncdemir, ndërsa shtetasi Jurgen Molla së bashku me shtetasin Anest Koromani ishte blerësi i heroinës.
Pas arritjes së marrëveshjes, ku pala kosovare kërkonte garancinë e pagesës nga shtetasi Jurgen Molla, ky i fundit, në datën 27 qershor 2015 dyshohet se ka dërguar në qytetin e Prizrenit në Kosovë, lidhjen e tij më të besuar, shtetasin Orges Myftarajn, me një sasi të konsiderueshme rreth 230.000 euro.
Njëkohësisht, po në datën 27 qershor 2015, Jurgeni ka takuar në lagunën e Patokut shtetasin Arben Prendi, ku dyshohet se i ka dhënë dhe shumën prej 8.000 euro, si pagesë për transportin e ngarkesës së heroinës.
Arben Prendi, po në këtë ditë, është nisur për në Kosovë me kamionin tip MAN, me targë AA090IF. Mësohet se nga data 27 deri në 29 qershor 2015, nga bisedat midis shtetasve të mësipërm, rezultonte faksi se heroina ndodhej në afërsi të Prishtinës, ku ishte e magazinuar dhe për këtë vend kishin dijeni shtetasit turq dhe kosovarë: Abubekir Tuncdemir, Enver Kurtuluş, Arif Çiço.
Konflikti për lekët dhe dorëzimi i drogës në valixhe
Gjithashtu nga kontaktet telefonike u kuptua se shtetasi Jurgen Molla ka pasur një borxh për të paguar, një transport të mëparshëm kundrejt shtetasit Enver Kurtuluş, i cili fillimisht nuk ishte dakord për t’i dhënë heroinën, por më pas, në datën 29 qershor 2015, shtetasit Abubekir Tuncdemir dhe Enver Kurtuluş, në një valixhe ia dorëzojnë ngarkesën e heroinës transportuesit Arben Prendi në një vend në Kosovë.
Në datën 29 qershor 2015, ora 17:00, u arrestua në flagrancë shtetasi Arben Prendi, sepse në orën 13:30 në Morinë, gjatë kontrollit në mjetin kamion tip “Man”, me targë AA 090 IF, në kabinën e mjetit, iu gjetën dhe bllokuan me cilësinë e provës materiale 15 kg e 224 gr lëndë narkotike e llojit heroinë. Kjo sasi lënde narkotike dyshohet se ishte për llogari të shtetasit Jurgen Molla dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Mbyllja e numrave e përgjimi i bisedave
Pas marrjes në dijeni të realizimit të këtij operacioni, shtetasit Jurgen Molla, Klaudio Veizaj dhe Orgest Myftaraj kanë fikur numrat e telefonit. Në vijim janë identifikuar numra të tjerë celularë të tyre duke vijuar hetimet në mënyrë proaktive.
Ndërkohë që aktet hetimore në ngarkim të shtetasit Arben Prendi u kaluan për gjykim të veçuar duke e ndarë nga anëtarët e tjerë të organizatës së drogës së drogës, ku vetëm pesë ditë më parë është dënuar me 14 vite burg nga gjykata e Krimeve të Rënda për akuzën e Trafikut në narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Pavarësisht se organiztës i ishte kapur një nga korrierët me mbi 15 kg heroinë, aktiviteti i tyre ka vijuar.
Kanë vazhduar verifikimet dhe veprimet me metoda speciale të hetimit për shtetasit Jurgen Molla, Orgest Myftaraj, Klaudio Veizaj e të tjerë, të dyshuar se kanë bashkëpunuar me korrierin Arben Prendi. Por gjatë hetimeve të kësaj dosje janë bashkuar tre procedime të tjera pasi rezultoi se personat objekt hetimi kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për trafikimin e drogës nga Shqipëria në drejtim të Kosovës e anasjelltas, si dhe trafikimin nga vendet e Bashkimit Evropian.
Përgjimet, “bëji gati atë “Iphonë 6”
Në datën 3 qershor 2015, Jurgen Molla bisedon me shtetasin Arif Çiço, i cili i thotë se “...të premten është tek ti ai shoku...”. “...Bëje gati një “Iphone 6”, se duhet me ia dhënë atij shokut, që na e ka mbaru punën...”. Jurgeni e pyet se “vjen vetë ai deri këtu?”. Arifi i thotë se “...tani jemi në rregull krejt. Unë do vij vetë më herët, vij sonte ose nesër. Vetëm bëje atë se i kam dhënë fjalën...”. Jurgeni e pyet Arifin me sms: “...o vëlla për zotin a është e sigurt se po më ikën truri...”. Arifi i shkruan: “... vëlla pa merak...”.Në 8 qershor 2015 diku rreth orës 09:42, Jurgen Molla shkëmben sms me Arif Çiçon.
Jurgeni: “Jena për mirë vëlla, apo do rrimë në pritje prapë”.
Arifi: “Jo për mirë jemi”.
Jurgeni: “Po pres pra të më shkruash”
Jurgeni: “Si të kam o vëlla, mua më ke lënë mbas dore krejt, po veç unë nuk të pres në besë, ta dish, klm...”.
Jurgeni:“Mirëmëngjesi vëlla, po mbrëmë e takuam ne atë, kemi ndjekur deri në ora një mbrëmë dhe atë takim do na thotë sot kur të vijë ajo për t’u fut”
Më pas Jurgen Molla shkëmben disa sms me korrierin e tij të drogës Arben Prendi të cilin e ka paguar 8 mijë euro.
Jurgeni: “Mirë je vëlla?”.
Arbeni: “Nuk më del në tel., ky s’ka valë, ok dak jam nis”.
Jurgeni: “Ok rrugë të mbarë, kur të dalësh këndej më trego”.
Arbeni: “Ok”.
Në mesditë Orges Myftaraj merr shtetasen që thërritet Iva, të cilës i thotë se ka ndaluar të pijë kafe dhe se e kanë bërë për një lek dhe se e ka ndihmuar një komandant që e ka njohur.Pas një ore, Orgesin e merr Iva, të cilës i thotë se ka ndaluar për të ngrënë dhe se po pret Klaudion që të niset.Pas dy orësh Orges Myftarajn e merr shtetasi Jurgen Molla ku i thotë: “...O lëviz se e kanë kap...”.
Orgesi: “Ooo!!! Pres telefonin...”.
Jurgeni i thotë: “Preja telefonat, ndalo diku sa të marr vesh”.
Më tej Jurgen Molla telefonon vllain e tij Dritan Mollën të cilin e pyet se ku është. Dritani i thotë se është duke drekuar me një shok. Jurgeni i thotë: “...Shko në shtëpi dhe merri ato lekët që janë në shtëpi, mbaji ti ose merri çoji në Bankë, e di Lola (gruaja e Jurgenit), se është problem. Unë po lëviz”.