SARANDË- Kryetari i Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho është vënë në hetim nga SPAK për korrupsion, pasi ka dyshime se ka abuzuar me detyrën. Me vendim të GJJKO, më datë 14 janar, po ashtu ndaj tij është caktuar masa e pezullimit nga detyra, ndërsa ndaj tij rëndon akuza penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”.
Nga hetimi i nisur më 6 janar organi i akuzës dyshon se Llaho ka kryer veprime korruptive, nga të cilat do përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij. Ky nuk është rasti i vetëm, por SPAK thotë se ka dyshime se gjatë ushtrimit të detyrës së tij si prokuror dhe kryetar i Prokurorisë së Sarandës, Llaho ka kryer veprime të paligjshme edhe në raport me persona të tjerë duke abuzuar kështu me funksionin e tij.
"Personi nën hetim, magjistrati, Kledian Llaho dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, shtetasi. V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë. Magjistrati K.Ll, në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij", njoftoi SPAK më 16 janar 2025.
Ndaj prokurorit, Llaho ka nisur një hetim disiplinor edhe nga ILD për shkelje të rëndë disiplinore dhe kërkon që ndaj tij të caktohet masa e uljes së pagës në masën 40% për një periudhë njëvjeçare. Vendimi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të jepet më 30 janar, ndërsa po sot u zhvillua një seancë ku anëtarët e KLP iu drejtuan pyetje palëve në këtë proces.
Hetimi disiplinor nuk ka lidhje me rastin për të cilin Llaho është marrë në hetim nga SPAK. Hetimi disiplinor ka nisur lidhur me veprimet dhe mosveprimet e tij duke sjellë zvarritje në një çështje penale, si dhe për moszbatimin e detyrave të lëna nga gjykata. ILD në seancat që janë zhvilluar në KLP ka deklaruar se ky hetim ka nisur pas ankesës së një qytetareje për zvarritje të një procedimi të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2018, e cila kishte depozituar kallëzimin penal për këtë çështje.
ILD ka konkluduar se prokurori Llaho, përveç zvarritjeve të pajustifikuara të akteve procedurale, nuk ka zbatuar as vendimet e gjykatave që kanë rrëzuar kërkesën e tij për pushimin e çështjes duke i kërkuar kryerjen e veprimeve të reja hetimore konkrete.
Kledian Llaho u konfirmua me shumicë votash më 22 dhjetor 2022 nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pasi shpjegimet dhe provat e dorëzuara prej tij për balancën negative dhe gjetjet në kriterin e figurës dhe pasurisë, u gjetën bindëse nga shumica e trupës së KPK.
Vendimi i KPK u ankimua pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili kërkoi shkarkimin me argumentin se ai nuk arrin nivel të besueshëm dhe se ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia. Çështja e tij nuk është shqyrtuar ende në KPA.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar procedimin penal nr.73 të vitit 2024* për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Më dt.6 Janar 2025 është bërë regjistrimi i emrit të personit nën hetim, magjistratit Kledian Llaho, me detyrë prokuror dhe njëkohësisht drejtues i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Sarandë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”, parashikuar nga nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.3, dt. 14.01.2025 ka vendosur:
Caktimin e masës së sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, në ngarkim të personit nën hetim, Kledian Llaho.
Nga analiza e veprimeve hetimore të kryera në kuadër të këtij procedimi penal, në mënyrë të përmbledhur, ka rezultuar se:
Personi nën hetim, magjistrati, Kledian Llaho dyshohet se ka kryer veprime me natyrë korruptive, duke kërkuar përftime të parregullta materiale, nga të cilat do të përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrri i tij, shtetasi. V.GJ, si dhe ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë. Magjistrati Kledian Llaho, në cilësinë e prokurorit të çështjes penale, nr 774/2021 dhe asaj me nr.720/2024, dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij.