TIRANË - Mësuesit që bënë testimin më 6 dhjetor në ciklin e ulët dhe parauniversitar marrin sot përgjigjet për rezultatet e testeve të tyre. Cikli i ulët dhe ai parauniversitar kishte një numër të lartë fituesish në këto dy profile, pasi vendet vakante të shpallura pas inspektimit të specialistëve të arsimit janë 615 mësues ku 440 mësues do të punësohen në arsimin fillor.
Mundësitë e punësimit janë shumë të mëdha për të gjithë kandidatët që aspirojnë të zënë një vend në ciklin e ulët shkollor, pasi në të gjithë Shqipërinë konkurruan në këtë profil 767 të diplomuar në këtë cikël. Ndërsa 536 kandidatët e parashkollorit duhet të verifikojnë përgjigjet e publikuara ditën e martë për të parë rezultatet e tyre.
Në 22 profilet ku do të emërohen 2281 emra të rinj në arsim, testi u nda me 70 pikë totale nga të cilat 30 pikë ishin të karakterit pedagogjik, ndërsa pjesa e dytë me 40 pikë të karakterit shkencor. Ndërkaq, lëvizjet paralele për vendet vakante do të bëhen në muajin janar për të gjithë fituesit./ATSH/