Mevlan Troka, 60 vjeç, është arrestuar në Fier me qëllim ekstradimin drejt Spanjës, ku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ai u kap nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier gjatë operacionit policor të koduar “Gjurmimi”, në fshatin Bishan.

Sipas Policisë, Gjykata e Madridit ka lëshuar urdhër-arrest për 60-vjeçarin, i cili dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, sipas parashikimeve të legjislacionit spanjoll.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet spanjolle, po vijon procedurat për ekstradimin e tij.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

"I akuzuar në Spanjë si anëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin 60-vjeçari .

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të kontrolleve për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, kanë lokalizuar dhe kapur, në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurmimi”, shtetasin M. T., 60 vjeç, banues në fshatin Bishan, Fier.

Për këtë shtetas, Gjykata e Madridit, Spanjë, ka lëshuar urdhër-arrestin, pasi dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve” dhe “Vjedhje e energjisë elektrike”, të parashikuara nga Kodi Penal i Spanjës.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi i përkohshëm i shtetasit M. T., me qëllim ekstradimin e tij drejt Spanjës.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, për finalizimin e procedurës së ekstradimit të këtij shtetasi drejt Spanjës" 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë