Artan (Marius) Tafani, i cili është në kërkim për grabitjen e 30 mijë eurove në një Exchange në Astir dyshohet se është përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale. Sipas mediave, dyshohet se është përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale pasi mund të jetë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë.
Dsyhohet se 39-vjeçari ka qenë pjesë e një vrasje të bujshme në vend por hetuesit nuk japin detaje pasi po vijojnë hetimet për ngjarjen. Edhe makina e vjedhur që u gjet në garazhin e bashkëpunëtorit të tij pas zbardhjes së grabitjes dyshohet se do përdorej në ngjarje të tjera kriminale.
Tafani është një emër i njohur për autoritetet. Ai u shpall në kërkim 3 ditë pas grabitjes së pikës valutore pasi u identifikua nga kamerat e sigurisë.
Artan Tafani, dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë përveç Enio Mecajt, pronarin e garazhit ku u gjetën rrobat që kishte veshur për grabitjen dhe biçikletën.
Hetuesit mendojnë se automjeti është vjedhur për qëllime kriminale nga grupi dhe mund të përdorej kur të ishte e nevojshme. Në muajt e fundit në Durrës rezultojnë të jenë vjedhur 4 makina, ngjarje akoma pa autorë dhe hetuesit po verifikojnë nëse kemi të bëjmë me të njëjtën dorë vjedhje apo jo. 39-vjeçari Tafani ende nuk është lokalizuar nga policia, por burimet thonë se ai nuk ka dalë nga territori i vendit, të paktën në rrugë legale, referuar sistemit TIMS.