Një 25-vjeçar i shpallur në kërkim për kultivim të 1275 bimë narkotike në bashkëpunim me familjarët e tij ka rënë në prangat e policisë së Malësisë së Madhe.
Bimët narkotike të kultivuar në fshatin Aliaj, pranë banesës së tyre u sekuestruan nga policia në shtator të vitit të kaluar.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe ndaluan shtetasin G. Sh., 25 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me familjarët e tij, ka kultivuar në tokën pranë banesës së tyre, në fshatin Aliaj, 1275 bimë narkotike, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë më datë 04.09.2025”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
Komente












