Tiranë- Tre persona të shpallur në kërkim janë arrestuar nga blutë e kryeqytetit. Një nga të arrestuarit është një 37-vjeçar i cili është dënuar nga Gjykata e Tiranës me 2 vite burg, për veprën penale “Vjedhja”.
“Si rezultat i kontrolleve intensive nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të bazuara te informacionet e siguruara në rrugë operative, u kapën dhe u vunë në pranga 3 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Konkretisht:
-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, vunë në pranga shtetasin K. B., 37 vjeç, të cilin Gjykata e ka dënuar me 2 vite burgim, për veprën penale “Vjedhja”. Nga dënimi atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 3 muaj burgim”, njoftoi sot policia.
Në pranga ka rënë edhe një 53-vjeçar, i dënuar me 1 vit burg për dhunë në familje.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 ndaluan shtetasin S. B., 53 vjeç, të cilin Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë personi i tretë i arrestuar është një 47-vjeçar i dënuar me dy muaj burg për Ndotja e ajrit, e ujrave dhe e tokës”.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë ndaluan shtetasin L. H., 47 vjeç, të cilin Gjykata e ka dënuar me 2 muaj burgim, për veprën penale “Ndotja e ajrit, e ujrave dhe e tokës”, informon më tej policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente







