Dy persona nga Lushnja kanë rënë në prangat e policisë.

Xheni Xhumari alias Shkëlzen Xhumari, 46 vjeç është arrestuar pasi ishte në kërkim për vjedhjen e një makine në muajin maj. Ndërkohë në kërkim është bashkëpunëtori i tij 31-vjeç.

“Si rezultat i kontrolleve dhe administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë informative, me objektiv kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Fier dhe të Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit vunë në pranga shtetasit:

-Xh. Xh. alias Sh. Xh., 46 vjeç, banues në Karbunarë, pasi ishte shpallur në kërkim për veprën penale "Vjedhja me dhunë", për të cilin Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg". Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin I. S., 31 vjeç, në datë 29.05.2025, i kanë vjedhur me dhunë automjetin, një shtetasi 41 vjeç. Vijon puna për kapjen e 31-vjeçarit”, njoftoi sot policia.

Armand Pepa, ka rënë në pranga pasi gjatë kontrollit në makinën e tij blutë gjetën një shkop metalik. 47-vjeçari rezulton i dënuar më parë për vjedhje me armë.

“A. P., 47 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë kontrollit të automjetit, iu gjet dhe sekuestrua një shkop metalik, në cilësinë e armës së ftohtë. 47-vjeçari i dënuar më parë për vjedhje me armë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohet edhe një 30-vjeçat pasi gjatë kontrollit të automjetit, iu gjet dhe sekuestrua një pistoletë sportive.

“Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. G., 30 vjeç, banues në fshatin Shegas, pasi gjatë kontrollit të automjetit, iu gjetë dhe sekuestrua një pistoletë sportive”, informoi policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.