KHAN YUNIS- Është një qytet i vdekur, një qytet post-apokaliptik, Khan Yunis. Janë tre rrugë që të çojnë në Rafahu, kufiri me Egjiptin ku Izraeli i ka detyruar banorët të strehohen muajt e fundit, deri në qytetetin që ushtria Izraelit e braktisi papritur të dielën, Khan Ynis. Dhe të tria këto rrugë tashmë janë të panjohura, të stërmbushura me rrënoja dhe pluhur.
Mijëra palestinezë kanë ecur në këto rrugë gjatë dy ditëve të fundit me zemrat plot pritje dhe shpresë, për të shkuar dhe për të parë se çfarë ka mbetur nga Khan Yunis dhe shtëpitë e tyre, në pjesën e Rripit të lënë përfundimisht nga forcat izraelite.
Për më shumë se katër muaj, pas evakuimit, askush nuk mund të hynte këtu. Dhe tani për të gjithë reagimi ishte i njëjtë: tronditja që ndjen kur përballesh me diçka që nuk e njeh më: Vetëm rrënoja dhe pluhur.
Një qytet i pajetueshëm
Shumë ndërtesa janë djegur dhe bombarduar, ndërsa disa janë ende në këmbë. Disa automjete ushtarake izraelite mbetën në rrugë, të braktisura sepse ishin dëmtuar. Në apartamente gjenden mbetjet e ushqimeve të ushtarëve, disa libra në hebraisht, disa tabela të lëna jashtë nga snajperët për të sinjalizuar praninë e tyre për shokët e tyre ushtarë. Ajo që ka më shumë rëndësi, është se askush nuk mund të mendojë të kthehet për të jetuar atje në të ardhmen e afërt.
Në Khan Yunis nuk ka ujë dhe ushqim, nuk ka rrugë, tregje, spitale apo shkolla. Të vetmit njerëz që sillen aty janë dy lloje njerëzish. Ka ish-banorë, madje të plagosur apo me karrige me rrota, që enden duke u përpjekur të marrin frymë sa më pak në ajrin e mbushur me pluhur. Ata erdhën për të kërkuar disa rroba apo suvenire mes rrënojave: gjëra që do t'i çojnë në Rafah në çadrat ku do të vazhdojnë të jetojnë kushedi sa kohë.
Dhe pastaj janë hajdutët. Edhe ata gërmojnë nëpër rrënoja ose në apartamente duke kërkuar objekte, që nuk janë të tyre. Ata i ngarkojnë në karrocat e tyre, të tërhequra zvarrë me gomarë apo motoçikleta dhe do t’i dërgojnë në Rafah. Shihen pak kufoma. Ose janë nën rrënoja ose janë marrë, si ato njëzet trupat e shtrirë në anë të rrugëve dhe që shpëtuesit i raportuan menjëherë UNRËA-s, edhe për arsye shëndetësore dhe për t'u vënë një emër atyre njerëzve që i përkasin, për mbi 10 mijë personat e zhdukur në Gaza.
Edhe shumë fëmijë po ecin mbi rrënoja. Përballë një pallati është Dima Quwaider, 12 vjeç. Ai është i trishtuar dhe nuk flet. Ajo u kthye për të parë shtëpinë ku u rrit, në lindje të Khan Yunis, dhe gjeti vetëm rrënoja. Dima tani jeton me dy tezet e saj - motrat e nënës, të cilat e shoqëruan këtu - dhe nuk i pëlqen aspak, sepse i mungojnë prindërit, të cilët i humbi në këtë luftë: nëna i vdiq nga një bombë që goditi shtëpinë dhe babain në Deir al Balah, qyteti ku ata ishin evakuuar.
Urrejtja për Hamasin
Në çatinë e një shtëpie të shkatërruar pjesërisht është Zakaria. Ai është një djalë i pashëm, i cili prej muajsh jeton në një tendë në Rafah dhe është i dëshpëruar të shohë se çfarë ka mbetur nga shtëpia e tij. Ai është ndër ata që do të kthehen duarbosh, sepse, për zhgënjimin e tij të madh, mes rrënojave nuk u ruajt asgjë e dobishme. Por urrejtja që del nga goja e tij nuk është vetëm për Izraelin: “Hamasi duhet të vdesë”, thotë ai.
Njerëzit janë lodhur nga Hamasi, i cili së bashku me Izraelin shkatërruan Rripine Gazës./ Nga Sami el-Ajrami për La Repubblica! Përshtatur në shqip me shkurtime nga Shqiptarja.com