Numri i kompanive europiane që fitojnë kontrata publike në Shqipëri është ende i ulët dhe ky është një shqetësim që evidentohet në fazën përmbyllëse të negociatave me Bashkimin Europian tha në Komisionin e Jashtëm zv ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit,  Enkelejd Musabelliu, teksa raportoi mbi ecurinë e negociatave të anëtarësimit për Kapitullin 1 “Lëvizja e lirë e mallrave” dhe  Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me jashtë“.

“Ekziston shqetësimi për kompanitë europiane, për shkallën e ulët të fitimit të kontratave publike, kjo vjen edhe për shkak të pjesëmarrjes së ulët që kompanitë europiane kanë, është një cështje që duhet të adresohet bashkë me bashkimin europian, apo me përfaqësitë diplomatike, sepse më shumë sesa teknikaliteti është besueshmëria që kanë, dhe këtu duhet të punohet për rritjen“ tha zv ministri Enkelejd Musabelliu

“10 kompanitë që fiojnë më shumë prokurimet publike, janë të 10 shqiptare, më shumë sesa besueshmëria, procedurat përshpejtuese që bëni ju“ tha deputeti demokrat Eno Bozdo

Zv ministri sqaroi se në kuadër të mbylljes së negociatave do të rishikohen për t’u përafruar me legjislacionin europian të gjitha marrëveshjet me vendet e treta.

Këtu, pyetja e opozitës ishte e drejtpërdrejtë:

“Marrëveshja e parë që duhet anuluar, është ajo e Portit të Durrësit… a duhet të shfuqizohet kjo marrëveshje? tha Bozdo

“Ajo që mund tju them është që të gjitha marrëveshjet me vendet e treta do të amendohen sipas legjislacionit europian, amendimi 2 vjet para anëtarësimit në BE“ u pwrgjigj Musabelliu  

Opozita thotë se marrëveshja për Portin e Durrësit është në shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare.