Vllaznia nuk është vetëm në krye të klasifikimit. Elbasani me fitoren e 4 radhazi, e fundit kundër kampionëve të fuqi të Egnatias, ka barazuar shkodranët me 23 pikë në krye të klasifikimit. Në Elbasan Arena të besuarit e Gvozdenovic ia dolën me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të sfidës kundër Egnatias e realizoi Tsague në pjesën e dytë.
“Luajtëm kundër skuadre shumë të fortë dhe shumë e mirë, por djemtë treguan cilësi. Shumë të kënaqur jemi, por jo vetëm nga pikët, por edhe sepse do rikuperojmë lojtarët e dëmtuar. Çunat kanë fituar besim dhe ndoshta do rregullojmë 3-4 gjërat që nuk kanë shkuar mirë në këto ndeshjet e fundit,”-u shpreh Ivan Gvozdenovic, trajner i Elbasanit.
“Kartoni i kuq sot bëri diferencën. Një lojtar më pak. I gjashti karton i kuq në këtë sezon dhe nuk besoj se është normale, por duhet të shohim para,”-tha Edlir Tetova, trajner i Egnatias.
Më në fund, në një ndeshje të çmendur kundër Teutës, Partizani u rikthye te fitoret. Të kuqtë pjesën e parë në Durrës e mbyllën në disavantazh të dyfishtë, por edhe pse mbetën me një lojtar më pak arritën të përmbysnin dhe të fitonin 2-3. Protagonist absolut Kontreras, i ardhur nga ekpi U-23 dhe i futur si zëvendësues. Kolumbiani shënoi dy gola që barazuan përkohësisht para se Toma të përmbyste shifrat dhe të vuloste fitoren.
Ky sukses, i pari në 4 javët e fundit të kampionatit, e ngjiti Partizanin në kuotën e 12 pikëve, po aq sa Bylisi i vendit të 7, ndërsa tabelën e klasifikimit e mbyll Flamurtari në vendin e 9 me 8 pikë si dhe Tirana në vendin e 10 me 6 pikë.
Komente










