Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërtuar një mini-fushë futbolli në kujtim të futbollistit të ndjerë, Martin Cani, i cili humbi jetën tragjikisht pranë shkollës “Fan Noli” në nëntor të vitit 2024.
Mini-fusha, që tashmë mban emrin e tij, është konceptuar si një homazh për një talent të ri të futbollit shqiptar, por edhe si një hapësirë e dedikuar për fëmijët e zonës – një vend ku ata mund të luajnë, të rriten dhe të edukohen përmes sportit. "Në kujtim të Martinit", shkruhet në pllakën emërtuese.
E prekur nga ky gjest, nëna e Martin Canit, Florina u shpreh:
“Jam shumë krenare që u realizua kjo mini-fushë për të gjithë fëmijët. Shpresoj që këtu të përcillet gjithmonë energjia pozitive që kishte Martini. Faleminderit nga zemra Federatës", tha ajo.
Ndërsa babai i tij, Angel Cani, shtoi:
“Faleminderit FSHF-së që nuk e harroi Martinin dhe që krijoi këtë hapësirë për komunitetin dhe brezat e rinj. Është një kontribut i çmuar për të ardhmen e fëmijëve", u shpreh ai.
Në nëntor 2025, në ambientet e një fushe sportive u vendos një pllakë metalike përkujtimore me portretin e Martin Canit të realizuar me lazer.
Komente










