Në një kohë që tensionet me Ukrainën sa vijnë edhe shtohen, Presidenti rus Vladimir Putin do të mbikëqyrë stërvitjet e mëdha ushtarake më 19 shkurt. Rusia thotë se do të ketë lëshime raketash balistike dhe të lundrimit dhe teste për të parë se sa gati janë armatimet e saj bërthamore.

Stërvitjet janë "mjaft të rregullta", thotë Kremlini, dhe jo një përshkallëzim i përplasjes me Ukrainën.

Rreth 149 mijë trupa ruse kanë rrethuar Ukrainën, sipas Perëndimit. Udhëheqësit botërorë do të takohen sot në Mynih të Gjermanisë për një konferencë të sigurisë, por Rusia nuk do të marrë pjesë për herë të parë që nga viti 1999.

Trupat ruse janë mbledhur pranë kufirit ukrainas që nga nëntori, duke shkaktuar frikën e një pushtimi. Megjithatë Rusia vazhdon ta mohojë këtë dhe akuzon Perëndimin për histeri.