Në maj, kantieret e ndërtimit do të jenë nën kontrolle të shtuara në të gjithë vendin në kuadër të fushatës kombëtare “Vende Pune të Shëndetshme” të lancuar nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Nisma vendos në fokus mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të punëmarrësve, në një sektor që vijon të mbetet ndër më problematikët për aksidentet në punë.

Në aktivitet morën pjesë edhe Dashnor Sula, Inspektor i Përgjithshëm, dhe Erjon Harizaj, Kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe kompanive të ndërtimit,  të cilët theksuan nevojën  për forcim të menjëhershëm të kulturës së sigurisë, sidomos për përdorimin e Pajisjeve të Mbrojtjes Individuale (PMI), që konsiderohen kyçe për parandalimin e rreziqeve në kantiere.Për këtë arsye, fushata, synon jo vetëm ta promovojë por edhe ta bëjë të detyrueshëm zbatimin e këtyre pajisjeve.

“Siguria dhe shëndeti në punë nuk janë një zgjedhje, por një detyrim ligjor dhe moral. Përmes kësaj fushate synojmë të rrisim ndërgjegjësimin dhe përgjegjshmërinë e çdo aktori në sektorin e ndërtimit, duke garantuar kushte pune më të sigurta dhe më dinjitoze për çdo punëmarrës”, u shpreh Eljo Muçaj, Drejtor i Përgjithshëm i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.

E pranishme në aktivitet, Zv.Ministrja e Ekonomisë, Olta Manjani, theksoi se investimi në shëndetin dhe sigurinë në punë është detyrim për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

“Duhet ta konsiderojmë këtë takim si një gur të parë kilometrik për të afruar sektorin që preket në mënyrë të drejtpërdrejtë nga direktivat e BE, për të rritur ndërgjegjësimin se çfarë investimesh duhet të bëjnë në ambientin  e punës. Investimi në sigurinë në punë nuk duhet të shihet si kosto, por si investim afatgjatë për mirëqenien e qytetarëve dhe shëndetin e biznesit.” tha ajo

Si rrjedhojë, në muajin maj pritet shtimi i kontrolleve në terren por edhe i takimeve direkte me kompanitë e ndërtimit dhe punonjësit. Synimi i këtyre kontrolleve është ulja e aksidenteve, rritja e respektimit të ligjit dhe forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve.