Kosova sot në zi kombëtare! Dhimbje, lot dhe flamuj në gjysmështizë në nder të 10 viktimave të aksidentit tragjik në Kroaci

KOSOVË- Në nder të viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik të mëngjesit të djeshëm në Kroaci, Kosova e ka shpallur ditën e sotme ditë zie.

10 viktima dhe 45 persona mbetën të plagosur prej të cilëve 15 në gjendje të rëndë, nga aksidenti i shënuar rreth orës 06:20 të mëngjesit në qytetin Slavonski Brod, ndërsa autobusi me targa të Kosovës vinte nga Frankfurti, Gjermani, drejt Prishtinës ndërsa në bord kishte 67 pasagjerë dhe dy shoferë, ku njëri humbi jetën.

15 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, mes të cilëve edhe një vajzë e mitur, ndërsa 3 prej tyre i janë nënshtruar operacionit.

Sipas informacioneve të ditës së sotme, 2 prej të lënduarve janë në njësinë e kujdesit intensiv dhe jeta e tyre është në rrezik. Ata së shpejti do të transferohen në Zagreb.

Ndërkohë mediat kosovare kanë identifikuar 9 nga 10 viktimat e aksidentit tragjik. Në mesin e viktimave është një vajzë së bashku me nënën e saj, Valentina Binakaj, dhe vajza e saj Erlinda Binakaj.

Kanë ndërruar jetë në mënyrë tragjike nga aksidenti, po ashtu, Sevdail Rruatemi, lindur më 1973, Pakshticë e Epërme – Podujevë, Naser Sylemetaj, lindur më 1974, Gjakovë, Launora Kolmekshaj, lindur më 1982, Junik – Deçan, Kujtim Kastrati, lindur më 1981, Radoste, Hamet Hoxha, lindur më 1966 Randobravë – Gjakovë.

Ditën e sotme kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar se janë identifikuar edhe 2 viktima të tjera, Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe 18-vjeçarja Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe.

Ndërkohë, sipas mediave kroate, shoferi i autobusit është arrestuar ndërsa në dëshminë e tij  ka deklaruar se e kishte zënë gjumi për një moment, gjë që mendohet se është edhe shkaku i aksidentit, megjithatë autoritetet po vijojnë hetimet.

Një ekspert kroat i cili foli rreth aksidentit, tregoi se aksidentet të tilla ndodhin orët e para të mëngjesit kur edhe drejtuesit janë të lodhur nga nata, si në këtë rast.

Ishte presidentja Vjosa Osmani, që në mbështetje të Kushtetutës, ka marrë vendim që dita e sotme, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, në nderim të qytetarëve të Kosovës që humbën jetën tragjikisht në aksidentin në Kroaci.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:53
Katër tragjeditë nga aksidentet me autobusë që kanë tronditur Kosovën 2 dekadat e fundit

Që nga mbarimi i luftës në Kosovë në vitin 1999, Kosova ka parë disa aksidente të tmerrshme që kanë qenë të përfshirë autobusët me udhëtarë

Në dy dekadat e fundit, është rritur transporti rrugor me autobusë nga Kosova për në shtetet tjera, por janë rritur edhe aksidentet. Më poshtë ua rikujtojmë katër tragjeditë më të mëdha nga aksidentet më autobusë në 20-vjetëshin e fundit.

2002- Dhjetë të vdekur në kufirin Kosovë-Mal i Zi

Dhjetë persona vdiqën, përfshirë edhe dy fëmijë, si dhe 31 të tjerë u lënduan më 25 korrik të vitit 2002 në kufirin Kosovë-Mal i Zi. Autobusi me 40 udhëtarë ishte duke udhëtuar nga Ulqini për në Kosovë kur doli nga rruga dhe ra poshtë një kodre. Aksidenti ndodhi në orën 05:00. Kjo ishte tragjedia më e madhe rrugore që nga mbarimi i luftës.

2004 - 15 maturantë vdesin në Shqipëri

Më 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Shqipërisë, vdiqën 15 maturantë kur u aksidentua autobusi më të cilin maturantët po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri. Autobusi po bartte 49 maturantë kur u rrokullis dhe ra në humnerë. Autoritet thanë se 34 maturantë të tjerë u lënduan, disa prej tyre rëndë.

Të 15 maturantët u varrosën në vendin e njëjtë në qytezën e Malishevës, ndërkohë në Fushë Arrëz është vendosur një pllakë përkujtimore.

2010 - Gjashtë të vdekur në një aksident në Austri

 

Më 22 shkurt 2010, gjashtë persona nga Kosova vdiqën kur një autobus që udhëtonte nga Prishtina u aksidentua afër Vjenës, derisa po udhëtonte për në Gjermani. Aksidenti ndodhi kur autobusi u përplas me dy kamionë në një autostradë në afërsi të kryeqytetit të Austrisë, Vjenë. Në këtë aksident u lënduan edhe mbi 30 persona, disa prej tyre rëndë. Në aksident vdiqën edhe dy shoferët e autobusit.

2021 - Dhjetë të vdekur në Kroaci

Më 25 korrik 2021, në një aksident në Kroaci mbetën të vdekur dhjetë persona me origjinë nga Kosova derisa po udhëtonin në autobusin e linjës Frankfurt-Prishtinë. Mbi 40 persona u lënduan dhe njëri prej tyre vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Autobusi kishte 67 pasagjerë, përfshirë edhe fëmijë.

Aksidenti me autobus të linjës Frankfurt-Prishtinë në Kroaci. 25 korrik 2021.

Aksidenti ndodhi në orën 06:00, ku dyshohet se nga pakujdesia e shoferit autobusi doli nga rruga. Policia kroate ka thënë se në kohën e aksidentit shoferin e kishte zënë gjumi. Shoferi është ndaluar nga policia derisa të kryhen hetimet.

 

Ora 15:37
Shoferi i autobusit të Kosovës mbrohet në heshtje! Ministri i Brendshëm: Po koordinojmë që të gjithë njerëzit të kthehen në Kosovë apo në Gjermani

Drejtuesi i autobusit të Kosovës, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin e rëndë në Sllavonski Brod të dielën, është marrë në pyetje të hënën, në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, në qarkun në Sllavonski Brod.

Atij i është caktuar një avokat, sipas detyrës zyrtare dhe ai është mbrojtur në heshtje, u ka thënë gazetarëve, zëvendës-Prokurori i Shtetit për qarkun në Sllavonski Brod, Franjo Kopuniç. .

“Nuk e morëm mbrojtjen e tij. Do të merret një vendim mbi hetimin. Pas kësaj do të propozohet paraburgimi, mbi të cilën do të vendoset nesër”, ka thënë ai.

Pasi është marrë në pyetje në Zyrën e Prokurorit, ai është kthyer në pataburgim.

Shoferi i autobusit do të dalë sërish para Prokurorisë, të martën në orën 09:00, ku do të vendoset për paraburgim.

Në anën tjetër Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Svecla, I cili aktualisht gjendet në Kroaci ka deklaruar se e gjithë ndihma e nevojshme ishte dhënë për të lënduarit në aksidentin fatal.  Ai njoftoi se disa prej udhëtarëve do të nisen për në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe disa do të ktheheshin në Gjermani.

 “Tani po koordinojmë që të gjithë njerëzit të kthehen në Kosovë apo në Gjermani ata që duan. Po e koordinojmë krejt situatën që t`i dërgojmë edhe trupat e viktimave në Kosovë”, tha ai.

Se kur trupat e viktimave të aksidentit do të kthehen, Sveçla kujtoi se kjo varet nga procedurat zyrtare që duhet të kryhen në Kroaci.

Si pasojë e aksidentit, që ka ndodhur në orët e para të mëngjesit më 25 korrik, kanë humbur jetën 10 persona dhe janë plagosur mbi 40 të tjerë.

Mbi 20 pacientë, të plagosur nga aksidenti, janë të gatshëm të lëshohen nga spitali më 26 korrik. Njëri nga pacientët është në gjendje kritike.

 

Ora 14:19
I prangosur, shoferi i autobusit që e zuri gjumi në timon dërgohet para prokurorit

Shoferi i autobusit që shkaktoi ditën e djeshme aksidentin tragjik në Kroaci, është parë sot duke shkuar në prokurori, i prangosur dhe i shoqëruar nga policia, raportojnë mediat kroate.

Ai do të merret në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, pas këtij intervistimi, Zyra e Avokatit të Shtetit do të marrë një vendim për rrjedhën e mëtejshme të procedurave.

Sot do të vendoset nëse do të lirohet apo do të mbetet në paraburgim.

Pamjet e publikuara nga mediat kroate, tregojnë momentin kur shoferit kosovar del nga veturat e policisë kroate dhe përcillet për tek prokurori.

 

 

https://www.index.hr/vijesti/clanak/foto-priveden-vozac-autobusa-u-kojemu-je-poginulo-10-ljudi/2293111.aspx#brid_cp_Brid_27298530
Ora 13:10
Shefi i Policisë së trafikut në Kroaci: Tragjedia do të ishte më e vogël nëse udhëtarët do të kishim mbajtur rripin e sigurimit

Aksidenti i rëndë i ditës së djeshme i cili u mori jetën 10 qytetarëve nga Kosova, mund të ishte më e lehtë nëse qytetarët do të kishin përdorur rripat e sigurimit.

“Ajo thjesht erdhi në vëmendjen tonë tani. Një pjesë e udhëtarëve dolën nga autobusi. Nëse ata do të kishin qëndruar në automjet, tragjedia do të ishte më e vogël. Autobusët nga viti 2008 duhet të kenë rripa sigurimi. Ky autobus kishte rripa sigurie, por mesa duket disa pasagjerë nuk i përdorën ata. Ligji është i njëjtë për të gjithë, i cili thotë se rripat e sigurimit duhet të përdoren nëse ata janë të instaluar në automjet. Gjoba për dikë që nuk e përdor rripin e sigurimit është e njëjtë me të gjithë të tjerët dhe kjo është 1.000 kuna, ” tha në një intervistë për televizionin N1 Josip Mataija, shef i Shërbimit të Sigurisë në Trafik në Kroaci.

Ndërkohë që është bërë e ditur se shoferin e autobusit për disa sekonda e kishte zënë gjumi në kohën që drejtonte mjetin, Mataija theksoi se ligjet kroate, por edhe rregulloret e Bashkimit Evropian përshkruajnë se sa kohë lejohen shoferët dhe kur ata duhet të pushojnë.

“Ata nuk duhet ta kalojnë kohën e caktuar gjatë ndërrimit, e cila është 9 ose 10 orë. Fatkeqësisht, gjëra të tilla ndodhin dhe me gjithë të mirat që sjell trafiku, ai gjithashtu ka anën e tij shumë të shëmtuar dhe kjo është vdekshmëria”, tha ai.

Mataija shtoi se Kroacia ka mjaft njerëz për t’i kontrolluar shoferët dhe autobusët.

“Praktikisht të njëjtat rregulla zbatohen për ta si për shoferët e kamionëve, çdo automjet duhet ta ketë një tahograf. Bazuar në atë rekord, ne mund të shohim se sa shpejt ai po e ngiste automjetin, deri kur ishte duke vozitur, sa orë me radhë, kur kishte pushime. Kjo është mirë sepse shoferët nuk mund ta fshehin. Ne kemi mundësi të hyjmë në tahograf dhe të shohim gjithçka që na intereson dhe ta sanksionojmë shoferin nëse ai nuk i respektoi rregullat. Pavarësisht se sa jeni afër vijës së finishit, nëse ndiheni të lodhur, duhet të ndaleni”, ishte porosia që ai ua dha të gjithë shoferëve.

Shoferi i autobusit në të cilin dhjetë veta vdiqën dhe mbi 40 u lënduan afër qytetit Slavonski Brod mëngjesin e djeshëm në Kroaci do t’i dorëzohet mbikëqyrësit të burgut, konfirmoi Damir Breziç, zyrtar policor për marrëdhënie me publikun në Administratën e Policisë Brod-Posavina. Breziç tha se shoferi, i cili do të ndiqet penalisht me ligje të Kroacisë, do të merret sot në pyetje.

Siç raportoi policia dje, shoferi do të procedohet penalisht për dyshimin e kryerjes së veprës penale “shkaktimi i aksidentit në trafikun rrugor”, për të cilin dënimi maksimal është deri në 15 vjet burgim.

Ora 10:20
Eksperti kroat i aksidenteve rrugore: Gjumi, problemi i madh i shoferëve nga Kosova

Dhjetë shqiptarë humbën dje jetën në Kroaci nga aksidenti tragjik pas daljes nga rruga të autobusit me të cilin po udhëtonin nga Gjermania në Kosovë. Shoferi e pranoi fajin duke deklaruar se për një moment e zuri gjumi mbi timon, çka solli edhe daljen nga rruga të autobusit.  Një ekspert kroat për aksidentet rrugore Stanko Smodlaka, u shpreh për mediat kroate se aksidente të tilla ndodhin në orët e para të mëngjesit, pasi drejtuesi i autobusit është i lodhur nga nata.

“Unë nuk i di detajet e asaj tragjedie, por nëse përcaktohet se nuk ka gjurmë të frenimit dhe rrëshqitjes në rrugë, atëherë njëqind për qind shoferin e ka zënë gjumi. Nëse nuk ka gjurmë në trotuar, atëherë kjo do të përjashtonte gjithashtu mundësinë që goma të ketë shpërthyer, sepse nëse kjo do të kishte ndodhur, do të duhej të kishte gjurmë edhe në trotuar. Aksidente si ky, të cilat ndodhin në orët e para të mëngjesit, ndodhin sepse njerëzit i zë gjumi veçanërisht nëse ata kanë drejtuar makinën tërë natën” tha Stanko Smodlaka.

Ndërkohë që ka theksuar se përgjegjësit e kësaj tragjedie do të ndëshkohen në bazë të ligjit kroat.

Ndërkohë një shofer kroat me eksperiencë më shumë se 20 vjeçare në udhëtimet ndërkombëtare ka theksuar edhe njëherë vështirësitë me të cilët shoferët kosovarë ndeshen.

“Kur ka dy shoferë, atëherë pushimet për shkak të lodhjes së shoferit nuk duhet të bëhen, ata thjesht i dorëzojnë timonin njëri-tjetrit. Problemi është nëse këta shoferë kanë bërë një udhëtim tjetër një ditë më parë dhe nuk kanë arritur të pushojnë, pasi punëdhënësi i dërgoi ata në rrugën për në Prishtinë. Unë e di që shoferët, veçanërisht nga Kosova kanë edhe një problem tjetër të madh sepse ata mbahen në kufij për disa orë dhe pastaj mbase shkelin disa rregulla për të arritur në destinacion në kohë” tha ai.

Ora 10:01
Aksidenti i rëndë në Kroaci me 10 viktima, flet deputetja: I ati s’e njohu fëmijën e vet në gjendjen që e pa

Deputetja shqiptare në Kuvendin e Kroacisë, Ermina Lekaj-Përlaskaj ka folur për gjendjen e të lënduarve në aksidentin e rëndë në Kroaci ku mbetën të vdekur 10 qytetarë të Kosovës.

Në një lidhje direkte në emisionin “Gjesi në T7”, Ermina Lekaj ka thënë se është duke qëndruar me disa familjarë të personave që u aksidentuan dje.

“Jam me disa familjar, po nuk e kam pa të arsyeshme që unë të ju tregoj që anëtarët e familjes së tyre e kanë humbur jetën, jam munduar që t’i drejtoj të vjen dikush ta shikojnë si është situatë”, shtoi ajo.

Deputetja tregoi se një baba, nuk ka mundur të njohë fëmijët e tij, pasi e ka parë në një gjendje të rëndë si paosjë e plagëve të aksidentit.

“Sipas të dhënave që kam pas, një baba nuk ka mundur që ta njohë fëmijën e vet në gjendje si e ka pa, drejtpërdrejtë kam fol me babanë e saj, është shumë e dhimbshme nuk kam fjalë se si ta përshkruaj”, thotë ajo.

Lekaj, shprehu falënderimet për qeverinë kroate dhe përkujdesjen që kanë treguar ndaj të plagosurve nga aksidenti.

 “Pacientët që janë në trajtim, do të mbesin në trajtim në spitalin e Kroacisë, të gjitha shpenzimet sa i përket pacientëve gjitha këto shkojnë në llogari të shtetit kroat”, tha ajo.

Ora 09:22
Zi Kombëtare në nder të viktimave që humbën jetën në Kroaci, flamujt e Kosovës ulen gjysmë shtizë

Flamujt e Kosovës janë ulur në gjysmë shtizë në nder të viktimave që humbën jetën në asfalt, pas aksidentit tragjik mëngjesin e ditës së djeshme në Kroaci.

Në ditën e zisë kombëtare, Institucionet janë “zgjuar” me flamujt gjysmë shtizë anë e mban Kosovës.

Ora 08:48
Identifikohen edhe 2 viktima të tjera nga aksidenti në Kroaci, mes tyre një 18-vjeçare

1627282435_95ec8f4482ef462f82823995c118b2c2.jpg

Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe 18-vjeçarja Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe janë dy nga 10 viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci.

Deri më tani janë identifikuar 9 prej viktimave, ndërsa 1 prej tyre është ende i paidentifikuar.

Lajmin e ka bërë me dije kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi i cili ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave.

Përmes rrjetit të tij social Facebook, Latifi i ka uruar shërim të shpejtë edhe personave që kanë mbetur të lënduar nga kjo tragjedi.

J.GJ./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë