Kryeministri Edi Rama ka lënë të hapur mundësinë për të rikandiduar Alma Hoxhën në Bashkinë e Përmetit në zgjedhjet lokale të vitit 2023.

Në një video të publikuar në Tik Tok,  kreu i qeverisë e përshkruan Hoxhën si personin që nuk u ndahet investimeve dhe ndaj Përmeti ka përfituar shumë fonde nga Bashkimi Evropian. Pas falenderimit që bën Hoxha, Rama i thotë se mendoi që do të kuptonte fjalët e tij si mundësi rikandidimi.

Pjesë nga biseda: 

Edi Rama: Kjo është Alma, kryetarja e Bashkisë Përmet, zysh Alma, e cila ka një meritë ndër të tjera, por kryesorja është që nga të gjitha bashkitë e Shqipërisë, ajo e Përmetit ka përfituar më shumë fonde evropiane. Sepse Alma u qepet dhe nuk u ndahet fondeve, gjë që ka bërë që edhe fondet për Përmetin të rriten. Dhe ky është një nga hotelet më të bukura në Përmet, Alma përshëndeti pak.

Alma Hoxha: Ju përshëndes të gjithëve, shumë faleminderit për vlerësimin, unë këtë vlerësim e kuptoj si më shumë përgjegjësi, më shumë të mira për Përmetin.

Edi Rama: Thashë se do thojë e kuptoj si rikandidim (qesh).

Ndërkohë emrat e tjerë që do të rikandidojnë për kryetar bashkie nën logon e Partisë Socialiste janë Armando Subashi për Bashkinë Fier, Eriselda Sefa për Bashkinë Lushnje dhe Erion Veliaj për Bashkinë Tiranë.

Ndërsa Dritan Lelit, aktualisht kryebashkiak i Vlorës, PS nuk do t'i japë mundësi tjetër.