Krishtlindja/ Politika lutje për të prekurit nga tërmeti: Për një të nesërme më të mirë

TIRANË- Pakkush e dinte se pas një viti të gjatë dhe të lodhshëm, kur shqiptarët prisnin festat e fundvitit për të gëzuar e për të uruar njëri-tjetrin, entuziazmi dhe harmonia do të zbeheshin nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. 2019 do të mbahet mend me gjatë se çdo vit tjetër për shkak të jetëve të humbura, banesave të shkatërruara e shpresave të thyera.

Nata e Krishtlindjes është koha kur drita çan errësirën dhe mbjell besim kudo ku ai mungon. Pak para meshës së shenjtë që kulmon në orën 00.00 me lindjen e Krishtit, politika shqiptare përmes rrjeteve sociale dhe mënyrave të tjera të komunikimit ka uruar qytetarët për këtë festë. Këtë vit, festa dhe tërmeti duket se nuk mund të ndahen.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:54
Krishtlindja/ Kryemadhi: Gëzime pastë në këtë ditë të shenjtë çdo vatër shqiptare

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka uruar besimtarët katolikë në natën e shenjtë të Krishtlindjeve. Me anë të një statusit në rrjete sociale, ajo shkruan se në një ditë si kjo e sotmja shërben si një reflektim për momentet më pikante të jetës, me të mirat dhe të këqijat e saj.

"Ju uroj me gjithë fuqinë e zemrës gëzuar Krishtlindjet.
Kemi shumë për të reflektuar në këtë ditë feste për tallazet e jetës, për momentet e gëzueshme dhe ato të trazuara. Dhe rrugën e reflektimit na mëson kush më mirë se, JEZUSI FOSHNJE QË NA THOTË:
Kam lindur i zhveshur, thotë Zoti,
që ti të mësosh të zhvishesh nga vetvetja.
Kam lindur i varfër, thotë Zoti,
që ti të më konsiderosh të vetmen pasuri.
Kam lindur në një stallë, thotë Zoti,
që ti të mësosh të shenjtërosh çdo ambient.
Kam lindur i dobët, thotë Zoti,
që ti të mos kesh kurrë frikë prej meje.
Linda nga dashuria, që ti të mos dyshosh kurrë në dashurinë time.
Linda natën, që ti të besosh se unë mund të ndriçoj çdo realitet.
Linda person, thotë Zoti, që ti të mos kesh turp nga vetvetja.
Linda njeri, që ti të bëhesh Hyj.
Linda i persekutuar, që ti të dish ti përballosh vështirësitë.
Linda në thjeshtësi, që ti të mos jesh më i komplikuar.
Dua të lind në shtëpinë tënde
– thotë Zoti –
që të të marr me vete në shtëpinë Time!
Besimi në Zot, dashuria për familjen, solidariteti me njeri-tjetrin do na sjellë prosperitet si komb.
Gëzime pastë në këtë ditë të shenjtë çdo vatër shqiptare",
shkruan Kryemadhi.

 

Ora 20:13
Krishtlindja/ Basha: Ardhtë kjo Natë e Shenjtë plot shpresë dhe bekim për një të nesërme më të mirë

Një urim për besimtarët katolikë ka bërë edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

"Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë të krishterë, në vigjilje të Krishtlindjes ju uroj nga zemra: Për shumë vjet gëzuar! Një lutje dhe urim të veçantë kam për të gjithë bashkëqytetarët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Ardhtë kjo Natë e Shenjtë plot shpresë dhe bekim për një të nesërme më të mirë.

Dua të falenderoj dhe uroj në këtë natë besimtarët dhe shërbëtorët e Zotit, që me përkushtimin e tyre ndihmojnë për lehtësimin e dhimbjeve dhe vuajtjeve, duke e kthyer shtëpinë e Zotit në strehë për çdo shqiptar në nevojë. Uroj nga zemra të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, Zoti e ndriçoftë rrugën drejt begatisë dhe bashkimit tonë si një familje e madhe për të mirën dhe mbarësinë e çdo shqiptari.

Për shumë vjet Gëzuar Krishtlindjen! Zoti e bekoftë Shqipërinë", shkruan Basha.

Ora 18:50
Krishtlindja/ Ruçi: Në këtë natë të shenjtë të tregohemi solidarë për ata që nuk gëzojnë në shtëpitë e tyre

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar besimtarët katolik për festën e Krishtlindjeve. Në urimin e tij, Ruçi u ka dedikuar një urim të veçantë, banorëve që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Me rastin e festës së bukur të Krishtlindjeve, në këtë Natë dhe Ditë të shenjtë uroj të gjithë besimtarët e krishterë: Krishtlindje të gëzuara! Të gjithë shqiptarët  le t’i bashkohemi gëzimit të kësaj feste dhe ta konsiderojmë këtë ditë të bekuar edhe festën tonë. Krishtlindjet janë përjetimi dhe ritregimi i një feste plot dashuri e shpresë, dhimbje e humanizëm për të gjithë dhe nga të gjithë. Në këtë Natë dhe Ditë të shenjtë të gjithë të tregojnë solidaritet për familjet që nuk munden të gëzojnë rreth pemës se Krishtlindjeve  në shtëpitë që i humbën nga tërmeti. Në këtë Natë dhe Ditë të shenjtë të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime që dashuria e besimtarëve të përshkojë gjithë jetët tona.”-thuhet në mesazhin e kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit.

Ora 18:48
Krishtlindja/ Meta uron shqiptarët: Shpresojmë ta rimarrin veten pas tërmetit! Zoti e bekoftë Shqipërinë

1560243507_ilirmeta.jpg

Presidenti Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët katolik për festën e Krishtlindjeve dhe urimi i tyre shkon në veçanti për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Këto Krishtlindje gjejnë shumë shqiptarë në çadra, me shtëpitë që u janë rrënuar nga ajo lëkundje tragjike, e mbi të gjitha kanë humbur një prej familjarëve të tyre. Në këto kushte, kreu i shtetit ka bërë një urim të veçantë që shqiptarët të mund të rimarrin veten dhe të ndërtojnë një të ardhme sa më të ndritur.

"Jam shumë i lumtur t’u bashkohem sot festës dhe urimeve tuaja më të ngrohta për Ditën e Bekuar të lindjes së Krishtit.

Begati, mirëqenie, mbarësi, lumturi dhe suksese për Ju dhe familjet Tuaja! Një urim të veçantë kam për të gjithë ata të cilët gjatë këtij viti humbën më të dashurit e tyre, përballuan dhimbje të mëdha, vuajtën nga sëmundjet, skamja, mjerimi, indiferenca dhe papunësia. Dashuria, gëzimi dhe paqja mbizotëroftë kurdoherë në zemrat dhe vatrat e tyre të ngrohta familjare! Krishtlindja i gjen shumë familje shqiptare në momente jashtëzakonisht të vështira shpirtërore dhe ekonomike!

Tërmeti i 26 nëntorit ishte një tragjedi e madhe që na lëndoi të gjithëve. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për ata që kjo fatkeqësi e rëndë i ndau përgjithmonë nga të afërmit dhe të dashurit e tyre! Me mijëra familje kanë humbur shtëpitë dhe mundin e një jete. Gra e burra, fëmijë të mitur dhe të moshuar do e kalojnë edhe këtë natë në çadra, të uritur, të sëmurë dhe të vetmuar me shpresën që sa më parë t’i rikthehen normalitetit.

Solidariteti që treguam në këtë fatkeqësi, është një themel i qëndrueshëm ku mund dhe duhet të mbështetemi, për t’u ringritur, gjetur forcën dhe energjinë, për ndërtuar një Shqipëri më të mirë, më të dhembshur dhe më njerëzore. Shumë qytetarë, në mungesë të shpresës dhe shanseve të barabarta, për shkak të plagëve të rënda sociale, dëshirojnë ende të largohen nga Shqipëria.

Le të punojmë të gjithë së bashku, pa u lodhur, për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme në atdhe, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë tanë. Është koha të gjejmë forcën dhe kurajën për t’u ngritur mbi dallimet tona, të rrëzojmë muret që na ndajnë dhe të bashkohemi rreth vlerave njerëzore, familjare e kombëtare, të sakrifikojmë diçka tonën për të mirën e përbashkët, të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin dhe ta bëjmë jetën më të mirë, në radhë të parë për ata që kanë më shumë mungesa në këto ditë të bekuara.

Një urim të veçantë kam edhe për Forcat tona të Armatosura kudo ndodhen, për mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit dhe të gjithë ata që kjo natë e Krishtlindjes i gjen në krye të detyrave të tyre, në shërbim të qytetarëve dhe të atdheut.

Nga mot gëzuar Krishtlindjen! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe kombin shqiptar", shkruan Meta.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sula: 25/12/2019 20:49

    NUK KA GEZIM NE VATRAT SHQIPTARE SE I KENI VJEDHUR JUVE SALIU,META,NANO,BASHA,,RAMA,, SHQIPTARET ME KONCESIONET,,PPP,DHE TENDERAT,,JUVE E KENI VRARE POPULLIN SHQIPTAR ,,NE 1997-8,,GERDEC,21JANAR,,KY POPULL DO GEZOJE KUR JU TE ZHDUKENI NGA POLITIKA E SHQIPERISE.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare