Shtatë drejtues automjetesh janë vënë në prangat e policisë pasi janë kapur nën efektivin e lëndëve narkotike.

Policia e Tiranës ka bërë më dije përmes një njoftimi se punonjësit e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, kanë organizuar shërbime të dedikuara dhe parandaluese, për evidentimin e shkeljeve me rrezikshmeri të lartë për sigurinë rrugore.

“Nga kontrollet e ushtruara në akset rrugore me potencial për ngjarje rrugore, si dhe evidentimin e drejtuesve të mjeteve me sjellje agresive, në raport me shpejtësinë dhe drejtimin e mjeteve nën efektin e lëndëve narkotike, janë konstatuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës: 7 drejtues mjetesh, të cilët janë verifikuar duke drejtuar mjetet, nën efektin e lëndëve narkotike;  2 drejtues mjetesh dhe 2 pasagjerë, pasi gjatë kontrolleve fizike dhe të automjeteve, shërbimet e Policisë, iu kanë gjetur e sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde narkotike”, njofton policia.

Gjithashtu, Policia Rrugore e Tiranës goditi 9 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masës administrative për shkeljen e kryer.

Ndërkohë dy drejtues automjetesh dhe dy pasagjerë janë ndaluar pasi policia ka gjetur lëndë narkotike në automjetet ku ata po udhëtonin. Nga ana tjetër policia ka publikuar edhe pamje nga kontrollet në rrugët e kryeqytetit ku njëri prej shoferëve e kapur në shkelje tenton të korruptojë efektivin duke futur 20 mijë lekë të vjetra mes dokumenteve.