Nëse sërish nuk gjendet një arsye për kaos, seanca e ditës së hënë në Kuvendin e Shqipërisë pritet të jetë maratonë. Në parlament, do të raportojnë 5 institucionet më të rëndësishme të drejtësisë: Prokurori i Përgjithshëm, SPAK, ILD, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Sipas dakordësisë, për secilin institucion do të lihet në dispozicion një kohë prej 150 minutash debat, ndërsa për herë të parë që pas nisjes së hetimeve për të, futjes në arrest shtëpie dhe marrjes i pandehur për aferën ‘Partizani’ kjo seancë pritet të përballë Sali Berishën me kreun e SPAK Altin Dumanin, sulmet ndaj të cilit i ka patur të rënda.

I vetmi deputet, mungesa e të cilit dihet është Gazment Bardhi. Kreu i grupit parlamentar demokrat është i përjashtuar për 2 javë nga punimet parlamentare, për shkak se gjatë seancës së shkuar u përplas me kreun e Kuvendit Niko Peleshin. Shkak i përplasjes ishte kërkesa e Bardhit që deputetët t’i adresojnë vetë pyetjet në drejtim të titullarëve që raportojnë para ligjvënësve.

Pikërisht për të shmangur një situatë të ngjashme, që solli ndërprerjen e seancës së shkuar, vetë Bardhi i ka dërguar një letër Peleshit ku i kërkon të shmangë të gjitha provokimet ndaj deputetëve.

‘Çdo ndryshim i njëanshëm nga Kuvendi i të drejtave të deputetëve të pakicës, apo interpretimit 34 vjeçar të Rregullores së Kuvendit, është atentat ndaj parlamentarizimit dhe asgjesim i të drejtave të opozitës parlamentare, dhe për pasojë është dhe do të jetë i papranueshëm për deputetët e opozitës.’, thuhet në letrën e grupit të PD që i paraprin seancës së të hënës.

Ndërsa për 2 komisionet e reformave zgjedhore dhe territoriale, që gjithashtu pritet të ngrihen në seancën e së hënës opozita dhe mazhoranca janë drejt dakordësisë pasi janë plotësuar dëshirat e të dyja palëve për barazi në anëtarë, bashkë-drejtim dhe marrjen e ekspertizës ndërkombëtare, aty ku do të jetë e nevojshme.