Pak para shpalljes së vendimit për katër ish-krerët e UÇK-së në Hagë, familjarët e tyre kanë shprehur besimin se gjykata do t’i lirojë. Vëllai i ish-presidentit Hashim Thaçi, në një deklaratë për mediat, tha se beson në drejtësi dhe në luftën e pastër të UÇK-së. Ai bëri të ditur se pothuajse të gjithë familjarët ndodhen në Hagë për të ndjekur shpalljen e vendimit.
“Besojmë në luftën e pastër të UÇK-së, besojmë në drejtësi. Të gjithë familjarët janë atje”, tha ai.
Edhe vëllai i Jakup Krasniqit, Avdyl Krasniqi, u shpreh se familja po e pret prej kohësh këtë vendim dhe shpreson të marrë një lajm të mirë, pafajësi për liderët e UÇK-së.
“Vendimin jemi duke e pritur bukur gjatë, po besoj se sot i ka ardhur fundi dhe e dëgjojmë një lajm të mirë. Obligimin jetësor me kohë e kanë kryer për të mirën e Kosovës dhe të popullit të saj”, u shpreh ai.
Avdyl Krasniqi ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi dëshmitë e paraqitura gjatë procesit, duke pretenduar se një pjesë e tyre ishin joserioze dhe se disa të dhëna vinin nga Serbia. Ai shprehu shpresën që gjykata të vendosë mbi bazën e provave dhe fakteve.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- Vendimi për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, gjyqtari Smith: Kjo çështje s'ka të bëjë me Kosovën e pavarur, përgjegjësia është personale! Mijëra qytetarë mblidhen në Prishtinë






