Në prokurori, 3 zyrtarë të
Kserës, abuzim me fondet

Në prokurori, 3 zyrtarë të<br />Kserës, abuzim me fondet
TIRANË -  "Task force" e Prokurorisë së Tiranës ka nisur hetimet ndaj tre zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të drejtuar nga Spiro Ksera. Ky hetim ka nisur pas kallëzimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka konstatuar abuzim me fondet publike. Sipas prokurorisë, në hetim është Klevis Bitro me detyrë drejtor i Kabinetit pranë kësaj ministrie, drejtorja e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse, Flora Batusha dhe këshilltari grek i ministrit, Theofanis Kaliviotis. Tre zyrtarët, sipas akuzës, kanë përvetësuar shuma të mëdha parash nga 6 aktivitete të ndryshme të organizuara nga ky institucion, por vetëm në letër.

Kontrolli i Lartë i Shtetit njoftoi sot se ka depozituar katër kallëzime penale në Prokurori ndaj zyrtarëve të ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Nga auditi i ushtruar janë konstatuar shumë parregullsi, shkelje ligjore dhe procedurale në menaxhimin e aseteve të ministrisë dhe në drejtim të menaxhimit të fondeve buxhetore. Auditi është realizuar për periudhën 01/04/2011 deri më 30/09/2012. Sipas KLSH-së, vlera e shkeljeve të ligjshmërisë ka shkaktuar një dëm ekonomik prej 23 728 976 lekë.

Lidhur me këtë, KLSH-ja tha se të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve”, “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Shkeljes së Barazisë së pjesëmarrësve në tender apo ankande publike” janë drejtori i Kabinetit të ministrit K.B.; këshilltari i Kabinetit të Ministrit Th. K. dhe drejtorja e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse F.B.

Për përmirësimin e gjendjes, KLSH ka propozuar 2 rekomandime për ndryshim në legjislacionin në fuqi; 40 masa organizative; 25 masa për shpërblim dëmi në vlerën 23,728,976 lekë dhe 10,613 Euro; 4 masa administrative, 3 masa “Zgjidhje e kontratës së punësimit” për Drejtorin e Kabinetit, Këshilltarin e Ministrit dhe Përgjegjësin e Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse; 3 masa “Largim nga shërbimi civil” për Drejtoren e Përgjithshme të Shërbimeve Mbështetëse, Drejtorin e Përgjithshëm të Politikave, 1 masë “Kalim në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët për një periudhë deri në një vit” për Drejtorin e Politikave të Inspektimit në Punë dhe Drejtorin e Shërbimeve të Brendshme;; 4 masa “Pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë për një periudhë deri në 2 vjet” për ish Sekretarin e Përgjithshëm, Përgjegjësin e Sektorit të Shërbimeve të Financës dhe Përgjegjësen e Sektorit të Drejtorisë së Integrimit
klevis bitro
PROKURORIA E TIRANES ZBARDH PJESERISHT ABUZIMET E TYRE
Prokuroria e Tiranës zbardh pjesërisht abuzimet në Ministrinë e Punës, e drejtuar nga Spiro Ksera. Kallëzimi është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, rreth 20 ditë më parë, pra para zgjedhjeve parlamentare, ndërsa njësia Task-Forcë ka kryer veprimet e para procedurale, ku përgjegjësia bie direkt mbi shefin e kabinetit, Klevis Bitro.

Megjithëse nuk është marrë i pandehur, burimet nga akuza pohojnë se ai ka firmosur mbi disa shkresa për organizimin e aktiviteteve festive nga ministria. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se shumica e këtyre aktiviteteve ka qenë fiktive, megjithëse janë paguar miliona lekë. Ka dyshime se organizimi i këtyre aktiviteteve kishte një “faturë” prej 40 milionë lekësh të vjetra për çdo rast, ndërsa inspektorët e KLSH-së kanë evidentuar se këto aktivitete kanë qenë vetëm në letër. (Në foto: Klevis Bitro)

BISTRO, ORGANIZATOR I FESTAVE FIKTIVE PER GRATE E FEMIJET
Për një kohë të gjatë, KLSH-ja ka bërë një audit të plotë në Ministrinë e Punës, ku në fund ka gjetur shkelje të hapura nga zyrtarët e këtij dikasteri, i drejtuar nga demokrati Spiro Ksera. Mësohet se në fokusin e inspektorëve të KLSH-së ka qenë pikërisht shefi i kabinetit, i cili ka qenë një nga nismëtarët e organizimit të disa festave, apo aktiviteteve nga Ministria e Punës.

Shumat që janë përdorur në të tilla aktivitete kanë qenë të majme, që shkonin deri në 40-50 milionë të vjetra. Tashmë, këto materiale, të KLSH-së, janë në duart e hetuesve të njësisë Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës dhe nga një verifikim paraprak rezulton se janë dhjetëra shkelje. “Shefi i kabinetit, për të cilin KLSH-ja ka rekomanduar nisjen e hetimeve, organizonte festa dhe aktivitete fiktive. Me firmat e tij, ai ka qenë nismëtar i festave për gratë apo edhe për fëmijët. Nga dokumentet, rezulton se janë paguar miliona lekë. Ndërkohë, gjatë verifikimeve në terren, janë zbuluar se gjithçka ka qenë false. Nuk kishte asnjë foto nga aktiviteti, apo edhe lista pjesëmarrësish. Gjithçka ishte një copë letër, e quajtur faturë, ku detajohej vetëm pagesa për restorantin apo edhe për ambientin ku do të mbahej ceremonia dhe asnjë gjë më shumë”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës, të cilat deklarojnë se materialet e KLSH-së do të verifikohen me dokumentet zyrtare të Ministrisë së Punës, madje edhe me thirrjen e dëshmitarëve konkretë.

Ndërkohë, akuza thotë se do të verifikojë të gjitha pretendimet e KLSH-së edhe për të tjerë zyrtarë të këtij dikasteri. Nga provat mësohet se punonjësit e shtetit kanë kryer veprime në dëm të arkës së buxhetit, duke përdorur mekanizma nga më të ndryshmet, si dietat e udhëtimeve, blerjen e pajisjeve për zyrat, akordimin e pagave në mënyrë të padrejtë etj., etj., me vlerë afro 200 mijë dollarë. Hetimi i KLSH është kryer në dy javët e fundit të muajit maj 2013, për periudhën 1 prill 2011 deri më 30 shtator 2012. Vlen të theksohet se një prej personave ndaj të cilëve është depozituar kallëzimi, është këshilltari i kabinetit të ministrit, Theofanis Kaliviotis, i denoncuar muaj më parë si pjesëtar i “Agimit të Artë”.
theofanis
KALLEZIMI I KONTROLLIT TE LARTE TE SHTETIT
Caktimi i drejtorit të kabinetit të ministrit në mjaft raste si kryetar i komisioneve të eventeve sociale apo të komisioneve të prokurimit të fondeve, ishte në kundërshtim me funksionet e përcaktuara në Rregulloren e Brendshme të Ministrisë të miratuar me urdhrin e ministrit nr. 1360, datë 15.06.2010 për detyrat që kryen drejtori i kabinetit të ministrit apo dhe me funksionet klasike të drejtorit të kabinetit të ministrit në çdo qeveri. KLSH përmend dy raste konkrete. Në organizimin e aktivitetit “Prezantimi i mekanizmit kombëtar të referimit të rasteve të viktimave të dhunës në familje”, kanë rezultuar shkelje dhe parregullsi ligjore dhe mungesë të konkurrencës, pasi subjektet konkurruese kanë qenë në kushtet e konfliktit të interesave, duke shmangur konkurrimin e ndershëm të ofertuesve, me dëm ekonomik për shtetin në vlerën 1.526.000 lekë. Rasti i dytë, në organizimin e ngjarjes sociale “Bota femërore, një sfidë me shumë gra në vendimmarrje”, janë paguar shpenzime të pajustifikuara për dekorin e aktivitetit për 7 ditë në vlerën 417.426 lekë. (Në foto: Theofanis Kaliviotis)

ZYRAT E MINISTRISE,  TE MBYLLURA PER HETUESIT
Pas denoncimit të KLSH-së për rastet e abuzimit në Ministrinë e Punës, disa oficerë të policisë gjyqësore kanë shkuar në Ministrinë e Punës, për të sekuestruar dokumentet origjinale. Por, përveçse nëpunësve të nivelit të mesëm dhe të ulët, të cilët kanë qenë sekretaret, rojet, shoferët e sanitarja, asnjë zyrtar i nivelit të lartë, nuk është gjetur në ministri. Hetuesit kanë kërkuar për ministrin, zv/ministrat, apo edhe për shefin e kabinetit, apo edhe sekretarin e përgjithshëm, të cilët nuk kanë qenë në zyrë. Burimet nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se OPGj-të do të shkojnë sërish në këtë dikaster, për të sekuestruar dokumentet.

KESHILLTARI GREK I MINISTRIT PAGUHEJ PA QENE ASNJE DITE NE PUNE
Këshilltari i ministrit, për periudhën objekt auditimi, gusht 2011 deri më 31 dhjetor 2012, ka rezultuar se ka qenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për 270 ditë, nga të cilat 160 ditë pune të paguara dhe të pajustifikuara dhe ku përgjegjësia direkt për këtë rëndon mbi drejtorin e kabinetit të ministrit. Zyrtarët e ministrisë nuk kishin marrë në konsideratë asnjë nga rekomandimet e KLSH, për shkeljet e mëparshme, madje kanë vijuar të abuzojnë më tej me detyrën.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin

Serie A/ Lazio dhe Milan barazojnë 2-2, Napoli përmbys 2-1 Parmën në fund! Ramadani dhe Berisha fitojnë derbin me Sherrin