645 qytetarë të Tiranës kanë denoncuar me pamjet shkeljet e bëra në rrugët e kryeqytetit nga drejtues mjetesh të papërgjegjshëm. Denoncimet policia e kryeqytetit i ka ndjekur duke i ndëshkuar edhe këto shkelës.

Një autobusi i është vënë 100 mijë lekë gjobë për stacionim jo në terminal, ndërkohë që 2 drejtues mjetesh janë arrestuar.

"Prej kohësh, falë bashkëpunimit me qytetarët, Policia Rrugore e Tiranës, po ndjek me kujdes të gjitha raportimet e Komisariatit Dixhital, denoncimet e qytetarëve, postimet e rrjeteve sociale, nëpërmjet të cilave provohen shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat më pas ndiqen në terren dhe procedohen sipas dispozitave të parashikuara në Kodin Rrugor. Gjithashtu, janë vlerësuar në kohë informacionet e qytetarëve në lidhje me shkelje të rrezikshme, ku vetëm dy ditët e fundit, falë reagimit të shpejtë dhe profesional, janë parandaluar ngjarje rrugore që mund të shkaktonin pasoja të rënda, pasi disa drejtues mjetesh, janë denoncuar nga qytetarët se po kryenin manovra të rrezikshme. Shërbimet e Policisë Rrugore kanë reaguar dhe ndaluar menjëherë, dhe nga verifikimet rezultuan se dy prej tyre ishin në gjendje të dehur, përkatësisht shtetasit me iniciale O. S., dhe E. Gj, të cilët u arrestuan në kushtet e flagrancës për veprën penale "Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt", të parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal", ka njoftuar policia e kryeqytetit e cila ka publikuar edhe disa prej pamjeve të mbëritura si denoncim në adresë të saj.