46 kilogramë kanabis në dy valixhe, të ndara në 89 paketime janë zbuluar në aeroportin "Nënë Tereza". Valixhet, të cilave u ishte zëvendësuar përmbajtja e zakonshme me rroba duke vendosur kanabis në vend të tyre, u zbuluan gjatë kontrollit me skaner të bagazheve të pasagjerëve që fluturonin në itinerarin Toronto-Rinas.
2 persona që dyshohet se kanë pasur valixhen, janë shoqëruar dhe në vijim pritet të vendoset për arrestim.
Ky është fluturimi i tretë që vjen nga Kanadaja paa hapjes së linjës direkte me TIA-n. Duke qenë se në Kanada kanabisi është i legalizuar, raste të tilla pritet të jenë të shpeshta dhe një problem shtesë për Policinë, Doganën dhe vetë TIA. Policia e Rinasit ka insistuar që i gjithë bagazhi i fluturimit t'i nënshtrohet kontrollit me skanerin e brendshëm, i cili administrohet nga Dogana.
Gjatë gjithë procesit të kontrollit, shërbimet e policisë kanë monitoruar fluturimin në çdo moment, që nga mbërritja e deri te kontrolli i çdo bagazhi me qenin antidrogë të Policisë Kufitare dhe me skanerin. Gjatë kontrollit, qeni antidrogë ka reaguar, ndërsa edhe imazhet e skanerit rezultuan pozitive.
Komente










