Veliaj në Gjermani, takohet me homologen Nahles
Tiranë, 24 Qershor /ATSH-Z.Tosku-Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, në vizitën zyrtare dy ditore në Gjermani, gjatë së cilës u takua me homologen e tij, Ministren e Punës dhe Çështjeve Sociale, Andrea Nahles nënshkruan një marrëveshjeje të re në fushën e punësimit, si dhe shkëmbimi i eksperiencës dhe ndihmës teknike gjermane në fushën e arsimit profesional, punësimit dhe shërbimeve sociale.
Ministri Veliaj vuri në dukje se nënshkrimi i marrëveshjeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë është një nga përparësitë e MMSR-së dhe i kërkoi znj. Nahles hapjen e procesit të negociimit të një marrëveshjeje të tillë edhe me Gjermaninë.
Nga ana e saj, ministrja Nahles mirëpriti kërkesën e ministrit Veliaj dhe shprehu mbështetjen e saj maksimale për ngritjen e një grupi pune në nivel teknik për njohjen e pensioneve të emigratëve shqiptarë dhe anasjelltas. Ajo shtoi se është një mbështetëse e fortë për eksplorimin e të gjitha fushave të bashkëpunimit me vendet aplikante në Bashkimin Evropian, duke theksuar punësimin në fushën e infermierisë dhe ndihmën që mund të japë Gjermania për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri./a.g/