Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky hodhi poshtë propozimin e Kremlinit për të zhvilluar bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë.

Në një konferencë me gazetarët, Zelensky tha se Putin mund të vijë në Kiev, nëse do të guxojë.

Është absolutisht e pamundur për mua të takohem me Putinin në Moskë. Kjo do të ishte njësoj si të takohesha me Putinin në Kiev. Mund ta ftoj po aq mirë në Kiev, le të vijë. Po e ftoj publikisht, nëse guxon, sigurisht.”, theksoi ai.

Zelensky sinjalizoi gatishmërinë për një takim në një format më të përshtatshëm.

“Gjithmonë kam thënë se jam gati për çdo format që synon t’i japë fund luftës dhe që funksionon vërtet. Por në Moskë ose në Bjellorusi, kjo është thjesht e pamundur dhe është absolutisht e qartë pse: sepse njëri nga këto vende është agresori që filloi dhe po zhvillon luftën kundër nesh, duke na vrarë, ndërsa vendi tjetër është partneri i tij në këto veprime.”, tha presidenti.

Ndër të tjera, presidenti u shpreh se nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare armëpushimi mbi sulmet mbi objektivat energjetike midis Ukrainës dhe Rusisë.

Ai thotë se vendimi, të cilin Ukraina e beson se është një mundësi dhe jo një marrëveshje e plotë, ishte një iniciativë e propozuar nga SHBA-të dhe personalisht nga Donald Trump.

Sipas Zelenskyt, Ukraina do jetë gati teknikisht që t'i bashkohet BE-së, pavarësisht kundërshtimit nga disa liderë europianë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:32
Armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës, reagon Kremlini: Trump na ka kërkuar të ndalim sulmet deri me 1 shkurt!

Kremlin

Kremlini tha të premten se presidenti rus Vladimir Putin ka marrë një kërkesë personale nga homologu i tij amerikan, president Donald Trump, për të ndalur sulmet ndaj Kievit deri më 1 shkurt.

Sipas Moskës, kërkesa synon krijimin e një klime të favorshme për negociata paqeje.

Kur u pyet për përmbajtjen e kërkesës dhe përgjigjen e Rusisë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov nuk pranoi të komentojë më tej.

Ukraina ka bërë të ditur se do të përgjigjet në të njëjtën mënyrë nëse Rusia heq dorë nga sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, në një periudhë të shënuar nga temperatura shumë të ulëta.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, i planifikuar për 1 shkurt në Abu Dhabi, mund të ndryshojë datë ose vendndodhje.

Ora 12:12
Armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës/ Ankaraja rrjeshtohet hapur krah presidentit Donald Trump

Ministri i jashtëm turk Hakan Fidan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po bën përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe Turqia i mbështet këto iniciativa.

Deklarata u bë nga ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, në një intervistë për Al Jazeera.

“Presidenti Trump po përpiqet t’i japë fund luftës në Ukrainë, një konflikt që ndikon drejtpërdrejt edhe në marrëdhëniet mes Europës dhe Rusisë. Turqia i mbështet këto përpjekje”, tha Fidan.