TIRANË- Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Europian ende nuk janë shprehur për raportin e Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme (IBAR) për grupkapitullin e parë “Themeloret”, Komisioni Europian i tha Report Tv se ka dorëzuar një raport pozitiv, duke vlerësuar se Shqipëria ka bërë progres në përmbushjen e objektivave të ndërmjetëm. Megjithatë, Komisioni thekson se vendimi përfundimtar mbetet në dorën e 27 shteteve anëtare, të cilat duhet të bien dakord për një qëndrim të përbashkët.

"Komisioni i ka paraqitur Këshillit vlerësimin e tij pozitiv mbi përmbushjen e Raportit të Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve dhe një projekt-Qëndrimi të Përbashkët të BE-së mbi Grupin 1. Tani u takon Shteteve Anëtare të bien dakord për një Qëndrim të Përbashkët të BE-së mbi Grupin 1, i cili do të përcaktojë standardet përfundimtare në fushën e Sundimit të Ligjit”, thuhet në reagimin e KE për Report Tv.

Në dy mbledhje të Grupit të Punës për Zgjerimin dhe vendet Negociuese me BE (COELA), më 6 dhe 13 mars, raporti për Shqipërinë është diskutuar nga ambasadorët e vendeve anëtare, të cilët fillimisht do duhet të arrijnë një dakortësi në parim, përpara se ta miratojnë. Një proces kompleks që kërkon unanimitet, por nuk ka një afat të paracaktuar brenda të cilit COELA duhet të dalë me një vendim.

“Qëllimi është arritja e një marrëveshjeje mbi të ashtuquajturin ‘draft pozicion i përbashkët i ndërmjetëm i BE-së për Grupkapitullin e parë", tha një ditë më parë Këshilli i Bashkimit Evropian për Report Tv. 

Shqipëria hapi në një kohë rekord të gjithë grupkapitujt e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian. Miratimi i IBAR-it është pengesa e radhës për t’u kapërcyer, në mënyrë që procesi i negociatave të hyjë në fazën e mbylljes së grupakpitujve.

Shtyrja në kohë e miratimit, dëshmon se mes vendeve anëtare, ka nga ato që kanë ngritur pikëpyetje. Burime diplomatike shpjegojnë se në krye të tyre qëndron Gjermania, anën e së cilës kanë mbajtur dhe disa shtete të tjera.

Ditën kur parlamenti shqiptar do të duhej të shprehej me votë për kërkesën për arrestimit të ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ambasada gjermane në Tiranë, doli me një deklaratë që dukej se e lidhte vendimmarrjen me ecurinë e bisedimeve me BE-në. Me të njëjtin tekst, u shfaqën më vonë dhe Holanda e Suedia.