Studimi në terren për të vënë në zbatim programin pilot pas-shkollor i quajtur “Afterschool” i cili do të zbatohet fillimisht në disa shkolla 9-vjeçare të kryeqytetit, ka përfunduar dhe aktualisht priten vetëm aktet nënligjore për realizim.

Në komunikim me mediat, ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, sqaroi se sfida kryesore mbetet mungesa e infrastrukturës së përshtatshme në shkolla.

“Nuk mjafton të kesh dëshirën apo ushqimin, duhet edhe të krijosh kushtet, sigurinë ushqimore, kushtet higjienosanitare, stafin, personelin ku do ta konsumojnë vaktin e ushqimit që i bie të jetë një vakt dreke. Prandaj gjithë kjo faza e studimit për bashkinë e Tiranës është kryer dhe jemi në fazën e dytë në të cilën duhet të fusim standardet infrastrukturore. Vendimi i Këshillit të Ministrave që e kemi në proces ndryshimi në këtë moment që flasim do t'i japë bashkive mundësinë ligjore për ta bërë dhe në të gjitha projektet që bashkitë bëjnë dhe sjellin Ministrinë e Arsimit për infrastrukturat në shkolla”, tha Kumbaro.

Kumbaro iu përgjigj edhe debateve të fundit që lidhen me krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore dhe përfshirjes në mënyrë të drejtpërdrejtë të "Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim" mbi funksione kyçe të arsimit, si provimet e maturës, licencimet dhe njohja e diplomave.

“Për sa kohë ka donatorë, donator mund të jetë një fondacion, mund të jetë një organizatë tjetër, ky donator është pjesë e bordit, por kontrollin dhe shumicën e vendimeve e ka pa diskutim Ministria e Arsimit, do të drejtohet ky bord nga ministri i përgjegjës për arsimin dhe të gjitha vendimeve e bordit, ato më të rëndësishmet që kanë të bëjnë me buxhetimin, që kanë të bëjnë me pagat, do të kalojnë dhe në një filtër tjetër që janë vendimet e Këshillit të Ministrave dhe përshtatja apo rishikimi i kurrikulave është një domosdoshmëri absolute”, tha ministrja.

Konkretizimi me një draft ligjor për rihapjen e liceut francez në Korçë, ishte po ashtu një ndër pikat kryesore të zhvillimeve të arsimit në Shqipëri tha ministrja, theksoi se kriter i vetëm për nxënësit për të marrë pjesë do të jetë njohuritë në nivel B1 të frëngjishtes.

“Vetëm një kriter do të ketë për përzgjedhjen e fëmijëve, niveli i frëngjishtes që duhet të jetë në nivelin B1 dhe për këtë po punojmë ndërkohë po me ndihmën e qeverisë franceze me një ekip ekspertësh që ka filluar prej vitit të kaluar gjithë etapat e trajnimit të mësuesve të frëngjishtes që japin mësim në klasat në shkollat nëntëvjeçare për të përgatitur nxënësit e gjimnazit të nesërmes”, vijoi ajo.

Kumbaro komentoi edhe testimin ndërkombëtar PIRLS 2026, një nga vlerësimet më të rëndësishme për aftësitë e leximit te nxënësit, i cili u zhvillua në 180 shkolla në mbarë vendin dhe vjeshtën e ardhshme dalin rezultatet, të cilat do të shërbejnë sipas saj për implementimin e politikave arsimore.