Kryetari i Kuvendit, Meta i shprehu mirënjohjen e thellë Komisionerit Hahn për punën e palodhur të Komisionit Evropian në hartimin e progres-raportit të fundit për Shqipërinë si dhe për rekomandimin pozitiv në mbështetje të çeljes së bisedimeve për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
Meta nënvizoi se “Shqipëria shpreson që edhe Këshilli të ndajë të njëjtin opinion me Komisionin, gjatë mbledhjes së tij të ardhshme gjatë këtij muaji".
Meta e falënderoi gjithashtu Komisionerin Hahn për rolin e tij personal dhe mbështetjen kyçe ndaj arritjes së konsensusit në miratimin e paketës kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke shtuar njëkohësisht se konsensusi ishte kyç për legjitimitetin e reformës, dhe se Kuvendi mbetet tërësisht i angazhuar për avancimin me implementimin e saj pa vonesa gjatë javëve në vazhdim.
Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn u shpreh se Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në përmbushjen e prioriteteve dhe e falënderoi Kryetarin Meta për mbështetjen e tij të vazhdueshme gjatë miratimit konsensual në Kuvend dhe në fazën e zbatimit me sukses të reformës në sistemin e drejtësisë, e cila është kyçe për integrimin evropian të vendit.
Hahn theksoi se suksesi i reformës së drejtësisë dhe ligjit të dekriminalizimit në Shqipëri do të prodhojë lajme të mira për gjithë rajonin e Ballkanit, i cili ka nevojë për momente pozitive.
Kryetari Meta dhe Komisioneri Hahn biseduan në përfundim mbi zhvillimet e fundit në rajon ku u theksua veçanërisht rëndësia e Procesit të Berlinit dhe ajo e avancimit të dialogut me rezultate të prekshme mes Kosovës e Serbisë, si dhe rëndësisë së madhe të mbarëvajtjes së zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni.
Duke vlerësuar rolin tradicional pozitiv të Shqipërisë në rajon, Meta dhe Hahn ndanë bindjen e përbashkët se Ballkani ka nevojë për forcim të stabilitetit, ndërlidhjes dhe sigurisë, dhe në këtë kontekst marrëdhëniet solide të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal duhet të shkojnë vetëm drejt forcimit dhe intensifikimit, me të gjithë fqinjët dhe vendet e tjera të rajonit.
Gjatë kësaj vizite në Bruksel, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta shoqërohej nga Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com