TIRANE-Opozita kërkon që në Komisionin e Jashtëm të raportojnë për ecurinë e plotësimit të 5 prioriteteve zv/ kryeministrja Mesi dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Deputeti i PD, Pollo është shprehur në mbledhjen e sotme se Mesi dhe Xhafaj nuk kanë pranuar që të raportojnë për të dhënë llogari për integrimin.

Sipas tij nuk mjafton vetëm Vettingu për negociatat. “Komisioni ka ftuar që në dhjetor Mesin dhe Xhafajn, por nuk kanë gjetur kohën për të ardhur. Tregojnë një mungesë respekti. Ndërsa Ministri për Europën thotë nuk kanë rëndësi 5 prioritetet, por vettingu. Por janë kusht i panegociueshëm për BE” tha Pollo.

Çuçi pranoi rëndësinë e raportimit, por justifikoi mungesën e Mesit dhe Xhafajt me axhendën. Ndërsa LSI ka kërkuar një seancë edhe me Bushatin para raportimit të KE.

Diskutimet në Komision
Genc Pollo: Ftuam në komision zv/ kryeministren dhe ministrin Xhafaj. Nuk kanë pranuar që të vijnë dhe të japin llogari për punën për integrimin. Nuk i dimë arsyet. Ky është shqetësim. Nuk mjafton vetëm Vettingu për të hapur negociatat, por duhen plotësuar 5 prioritetet.

Bledi Çuçi: Jam dakord që të vijnë sa më parë për dy dëgjesat që kanë ngelur. Ka qenë axhenda, sidomos e ministrit të Brendshëm që nuk kane gjetur dot hapësirat. Jam i gatshëm të angazhohem për ti mbyllur. I bashkohem qëllimit të mirë që ka komisioni.

Klajda Gjosha: Të kemi një seancë edhe me Bushatin përpara raportimit të KE. Duam të dimë se si po lobon Shqipëria me vendet anëtare.

d.b/shqiptarja.com