"Ky është një vendim në grup, përgjigje të cilën unë duhet ta kthej vetëm kur kryetari i partisë time të jetë në ato diskutime me secilin kandidat nëse do të jetë i tillë diskutimi, atëherë kjo është një përgjigje e brendshme, është një situatë e brendshme. Si ta mendojë PD për kandidatin e vet, unë mendoj se PD ka dhe duhet të ketë gjithmonë shumë njerëz të cilët janë të mundshëm për të bërë një garë dinjitoze."- u shpreh Duma.
Negociatat e Partisë Demokratike me partitë aleate duket se do të vijojë deri në momentin e fundit. Por për koordinatoren për marrëdhëniet me publikun në PD Grida Duma negociatat po ecin me integritet ndonëse ende nuk është vendosur për kandidatin e Durrësit të cilin PR e kërkon me këmbëngulje. Ndonëse Duma shprehu vlerësimin maksimal për Agron Dukën si kandidat ajo tha se vendimi u mbetet negociatave mes palëve.
Emri i Grida Dumës si kandidate për Tiranën nuk u përjashtua si mundësi as nga vetë ajo, por sipas saj ky do të jetë një vendim që merret në grup.
"Aleati jonë PR është sigurisht në negociatat të gjata me ne siç ju e keni ndjekur dhe duket qartazi që ka një vullnet pozitiv që do forcat të vazhdojnë rrugëtimin e tyre të spektrit të djathtë bashkë."- u shpreh Duma.
Ndërsa negociatat vazhdojnë Partia Demokratike duket se ka gjetur një zgjidhje për kërkesën e Republikanëve për Durrësin duke zyrtarizuar kandidatin e Beratit Kasem Mahmutaj, i cili rezulton të jetë kryetar i degës së PR në Berat.
Kjo shihet si një zgjidhje që vjen në kuadër të negociatave mes këtyre dy forcave politike. Ndërkaq demokratët kanë vijuar zyrtarizimin e kandidaturave të tjera për procesin zgjedhor të 21 qershorit.
Kështu PD do të kandidojë në Kuçovë me Muslim Haxhinë, në Kukës Bashkim Shehun, në Korçë Gjergji Meron në Fushë Arrëz kandidatin Gëzim Vata. Deri një ditë më parë PD kishte zyrtarizuar 21 kandidatë për kryetar të bashkive.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)