Të dërguarit amerikanë për Ukrainën, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, u takuan në Dublin me përfaqësuesit negociatorë të institucioneve të BE-së dhe të vendeve të formatit E4, përkatësisht të formatit që mori pjesë në tryezën e Abu Dhabit – Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia – si dhe me Poloninë.

Takimi ishte “produktiv” dhe shërbeu për të diskutuar raundet e ardhshme të negociatave, me synimin që ato të kalojnë nga një format “trepalësh” (SHBA, Rusia, Ukraina) në një format “shumëpalësh”, me pjesëmarrjen e evropianëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe i dërguari amerikan Jared Kushner njoftuan pas takimit të tyre se përfaqësuesit evropianë do jenë pjesë e negociatave të ardhshme me Rusinë, pas takimit të përfaqësuesve të Uashingtonit me Vladimir Putinin.

"Herën tjetër, në takimin e ardhshëm, Evropa do të jetë pjesë e ekipit negociator. Jo pas negociatave dhe jo veçmas. Ajo do të ketë zërin e saj në tryezën e negociatave", tha Zelenksy.

Jared Kushner tha se për uljen e europianëve në tryezën e negociatave për Ukrainën kanë bindur edhe Putin në takimin që u zhvillua më herët të enjten në moskë.

"Nuk mund ta përmbyllim këtë marrëveshje pa qenë evropianët të pranishëm në tryezën e negociatave. I kemi thënë Presidentit Putin se besojmë që kjo është shumë e rëndësishme dhe se Presidenti Zelensky ka qenë një mbështetës shumë i fortë i kësaj ideje. Ai e ka thënë këtë që nga fillimi. Dhe mendoj se kemi arritur ta sigurojmë këtë me Presidentin Putin dhe ai është i gatshëm t'i japë një mundësi", tha Kushner.

Europianët synojnë që të japin një kontribut në tryezën e negociatave rusi ukrainë jo vetëm për paqen, por për një kuadër më të gjerë, për sigurinë e europës pas përfundimit të luftës.

Ngërçi aktualisht është tek gjetja e një përfaqësuesi që do të jetë zëri dhe fytyra e europës në tryezë. Mosmarrëveshjet për këtë, raportohen mes Gjermanisë dhe Francës që kërkojnë një formë ekskluziviteti, krahasuar me shtete të tjera që preferojnë një figurë me europiane sesa kombëtare.

Raundi i ardhshëm i negociatave për paqen në Ukrainë pritet të zhvillohet pas 19 nëntorit, datë kur europianët dhe ukraina do të takohen për koalicionin e të vullnetshmëve.