Kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në rrjetet sociale lidhur me procesin e integrimit europian të Shqipërisë, e ka cilësuar si një “mister të gëzueshëm” përkimin e avancimit të negociatave me 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit.

Kreu i qeverisë e quan Naim Frashërin si “udhërrëfyesin gjenial” të aspiratës shekullore të shqiptarëve drejt Europës, duke përmendur shprehjen simbolike të poetit: “Diellit që lind andej nga perëndon”.

“Mirëmëngjes! Është një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt “Diellit që lind andej nga perëndon”.

Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj “Shqipëribërësin” e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë", shkruan Rama në Facebook. 

Rama thekson gjithashtu se me punën e përbashkët nën dritën e amanetit të Naim Frashërit dhe rilindësve tanë, Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit.

"Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e “Diellit që lind andej nga perëndon. Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar! Javë të mbarë”, thekson Rama.

Nesër, 26 maj në Bruksel do të zhvillohet Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ku i pranishëm do të jetë Rama së bashku me një përfaqësi të kabinetit qeveritar. Sipas tij ky hap “vulos me sukses fazën hyrëse dhe çel fazën përmbyllëse të negociatave të anëtarësimit”. 

Grupi i punës për Zgjerimin, COELA i ka dhënë dritën jeshile IBAR-it, raporti i Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një draft të përbashkët.

Vendet anëtare në grupin e punës COELA, arritën të dakordësonin pas gati 3 muajsh një qëndrim të përbashkët për Shqipërinë, dokument që ka pësuar ndryshime të shumta gjatë kësaj periudhe krahasuar me variantin fillestar të propozuar nga Komisioni Europian.