GJIROKASTËR – Një 27 vjecar mbante mbyllur nënën në shtëpi nga frika se kjo e fundit do ta denonconte në polici, për drogën që mbante në shtëpi. Ka mjaftuar një moment kur nëna ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar drejt zyrave të komunës për tu ankuar për të birin, që odisea e saj e mankthit të marrë fund.

Bëhet fjalë për Thanas Proko, 27 vjeç, i cili tashmë është nën arrest për trafik të lëndëve narkotike, shkatërrim prone e prishje të rendit e sigurisë publike.

Policia e Gjirokastrës, bëri me dije se arrestimi është bërë pas një telefonate të bërë nga punonjësit e Komunës së Dropullit të Sipërm Gjirokastër, që lajmëronte se Thanas Proko, i njohur nga policia si përdorues dhe transportues droge, bërtiste e kërcënonte duke qëlluar me shkelma e karrige dyert e komunës.
Punonjësit e komunës duke parë irritimin e Prokos e kishin fshehur nënën e tij për të parandaluar ndonjë ngjarje të rëndë.
Thanas Proko sipas policisë e mbante të mbyllur në banesë nënën e tij, pasi kishte frikë se nëna shkonte në polici dhe denonconte për veprimet e djalit dhe për lëndën narkotike që mbante në shtëpi .


Policia e Gjirokastrës ka mbërritur shumë shpejt në komunë dhe ka ndjekur për disa orë Thanas Prokon që ishte larguar me vrap anës së lumit përballë fshatit Vrisera. Pas disa orë ndjekje Thanas Proko ra në duart e policisë.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan rreth 2 kilogramë marijuanë në një çantë.

(aq/shqiptarja.com)