Nënshkruhet marrëveshja, Banka Shtetërore Gjermane financon 100 milion euro për sistemin elektroenergjetik

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit mes Qeverisë Shqiptare dhe Bankës Shtetërore Gjermane (KfW) për financimin  e një fondi  prej 100 milion euro për sistemin elektroenergjetik shqiptar.

Marrëveshjen për palën shqiptare e nënshkroi Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, ndërsa për palën gjermane Drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, Björn Thies, në praninë edhe të Ambasadorit të gjerman në Tiranë, Peter Zingraf.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Ministrja Denaj u shpreh se sektori energjetik në Shqipëri dhe reformimi i tij ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet thelbësore në reformat strukturore të ndjekura për ekonominë Shqiptare.

Sipas Denajt, ky plan strategjik përmban një sërë masash me qëllim krijimin e një tregu të organizuar sipas modelit të Bashkimit Evropian, i cili bazohet në çmime konkurruese dhe udhëhiqet nga parimet e të qenit transparent, jodiskriminues dhe i qëndrueshëm.

Duke falënderuar donatorin, Ministrja Denaj theksoi se marrëveshja e huasë, prej 100 milionë euro, është një mbështetje e madhe e Qeverisë Gjermane për të përmirësuar proceset e reformës sektoriale në sektorin energjetik në Shqipëri.

“Qeveria ka marrë zotimin që të vijojë punën prej disa vitesh  tashmë, një punë e cila ka disa rezultate konkrete, duke bërë realitet të plotë funksionimin e Bursës së Energjisë apo ndryshe APEX dhe hapjen graduale të tregut të shitjes me pakicë, së bashku me krijimin e një tregu konkurrues të energjisë”, tha Denaj.

Ministrja vlerësoi se sektori i energjisë do të jetë prioritet strategjik edhe në mandatin e tretë qeverisës, vazhdimësi e reformës së nisur edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Ambasadori Zingraf, shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë shqiptare, ndërsa vlerësoi se reformat e ndërmarra nga kjo e fundit janë mbresëlënëse.  Ambasadori u shpreh,  se përmes kësaj marrëveshje qeveria gjermane mbështet reformën e transformimit të tregut të energjisë në Shqipëri, që është një hap i rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, pasi synohet të krijohet një treg transparent që do nxisë rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe do të lehtësojë investimet e sektorit privat në tregun e energjisë.

Një moment të rëndësishëm për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe KfW e konsideroi marrëveshjen edhe Drejtori i Zyrës Rajonale të KfW-së për Shqipërinë, Björn Thies, i cili u shpreh se energjetika është një sektor me rëndësi në kuadër të këtij bashkëpunimi. Sipas tij, me nënshkrimin e marrëveshjes hapet një kapitull i ri i bashkëpunimit të përbashkët.

Huaja me terma të butë prej 100 milion euro ka një maturim prej 12 vjet, duke përfshirë periudhën prej 3 vitesh pa pagesë principali.

 

/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Lavrov: Moska do pezullojë moratoriumin për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme

Lavrov: Moska do pezullojë moratoriumin për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme