Kontrata financiare me vlerë 18 milionë Euro u nënshkrua në Sallën e hartave në kryeministri, nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe Zëvendëspresidenti i BEI, Dario Scannapieco.
Në një ceremoni ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe Ministrat e Transportit Edmond Haxhinasto, Ekonomisë Arben Ahmetaj dhe i Energjetikës Damian Gjiknuri. Kontrata me BEI-n është pjesë e bashkëfinancimit të projektit, së bashku me BERZH-in dhe BE-në përmes fondeve IPA, me vlerë totale financimi prej 53 milionë Euro.
Projekti i Bypass-it synon të rrisë sigurinë e lëvizjes dhe të lehtësojë qarkullimin drejt bregut, veçanërisht në muajt e verës, kur numri i automjeteve shumëfishohet, duke e orientuar trafikun jashtë qytetit të Vlorës. Ministri Cani tha se nënshkrimi i Marrëveshjes së financimit të Bypass-it të Vlorës është një besueshmëri tjetër në seriozitetin e projekteve publike të qeverisë shqiptare dhe në përpjekjet e saj për modernizimin e infrastrukturës kombëtare dhe integrimin rajonal.
"Projekti i ndërtimit të Bypass-it të Vlorës është një ndër projektet prioritare të qeverisë, në përputhje me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. Objektivi i tij është rritja e shpejtësisë në lëvizje, çlirimi i trafikut, është rritja e komoditeti dhe e sigurisë në rrugë dhe në lëvizje, si dhe përmirësim i situatës ambientale në qytetin e Vlorës", nënvizoi Cani.
Sipas tij, realizimi i këtij projekti si nyje lidhëse në korridorin veri-jug është tepër i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë jugore, zhvillimin industrial, për turizmin dhe me impakt në bujqësi, për transportin e prodhimeve bujqësore.Ndërsa Zv/president ii BIE-sëdeklaroi se është thelbësore që ne të vazhdojmë të mbështesim rritjen ekonomike të Shqipërisë, në mënyrë që të njihet akoma më tej roli i saj jo vetëm në pjesën detare të Adriatikut dhe Jonit, por në të gjithë rajonin në përgjithësi dhe që vendi juaj të jetë epiqendra e këtyre projekteve që do të ndodhin në të gjithë rajonin.
"Ky është një moment i rëndësishëm për të luftuar papunësisë, por edhe për të restauruar rritjen ekonomike. Në këtë moment, ne besojmë që duhet vazhduar që të punohet përsa i përket konkurrueshmërisë, por edhe investimeve jo vetëm në rajon, por natyrisht edhe në Shqipëri", u shpreh Dario Scannapieco.
Duke vënë nëdukje se BEI nuk është vetëm një bankë zhvillimore, por edhe që promovon integrimin, ai nënvizoi se "pikërisht kjo fjalë, fjala integrim është fjala duhur për Shqipërinë, në mënyrë që Shqipëria të përfshihet e të ketë rolin e saj shumë të rëndësishëm në këtë rajon makroekonomik. Më lejoni t'ju siguroj në emër të Bankës, që BEI do të vazhdojë t'ju mbështesë në të gjitha këto projekte"./a.gegvataj/