Reduktohet në 15 ditë koha e nevojshme për pajisjen me dokumenta biometrikë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit

Reduktohet në 15 ditë koha e nevojshme për pajisjen me dokumenta biometrikë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit

Ervin Hoxha, Igli Hasani dhe Freskida Halilaj duke nënshkruar marrëveshjen

Tiranë, 14 janar 2024 – Shkurtohet ndjeshëm koha dhe procedurat e aplikimit për pajisjen me dokumenta biometrike për të gjithë qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe administratorja e Përgjithshme e kompanisë “IdentiTek”, Freskida Halilaj nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me dokumente biometrikë, në Zyrat e Aplikimit të Përfaqësive të Republikës së Shqipërisë”.

Përmes kësaj marrëveshje bashkëpunimi bëhet e mundur që të përgjysmohet koha e aplikimit dhe marrjes së pasaportës për diasporën shqiptare. Thënë ndryshe, tani çdo qytetari shqiptar që jeton jashtë kufijve të vendit nuk do t’i duhet më 30 ditë për tu pajisur më pasaportë, por kjo kohë reduktohet me 15 ditë.

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha pas nënshkrimit të marrëveshjes e cilësoi si një standard të ri që po aplikohet në funksion të lehtësimit të procedurave për qytetarët shqiptarë.

“Kjo procedurë, e cila më përpara ka qenë në një kohë më të zgjatur për rreth 30 ditë tani do marrë 15 ditë kohë. Edhe njëherë i bëj apel të gjithë shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit të aplikojnë sa më shpejt për kartat ID dhe t’i shohin bashkë me pasaportat për vlefshmërinë e afateve të skadimit”, nënvizoi ai.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani  vlerësoi bashkëpunimin me Ministrin e Brendshme dhe IdentiTek për vëmendjen por edhe fleksibilitetin maksimal në mënyrë që këto afate të jenë gjithnjë më të pakta.

“Të gjithë ata që do të aplikojnë jashtë vendit, këtë shërbim do ta ndiejnë menjëherë dhe do të jenë të qartë dhe të sigurt se do t’i vazhdojmë përpjekjet tona për të realizuar sa më shumë angazhimin të cilin ne kemi marrë përsipër. Jemi gjithmonë në shërbim të shtetasve shqiptarë, në shërbim të qytetarëve tanë kudo ku janë”, tha ministri Hasani.

Sipas administratores së “IdentiTek”, konsujt dhe përfaqësuesit e autorizuar do të kenë mundësinë të nënshkruajnë në mënyrë elektronike, format e aplikimit për të bërë të mundur prodhimin e këtyre dokumenteve në një kohë shumë më të shkurtër.

“Në vazhdimësi të nismave për të qenë më afër diasporës në prag të procesit zgjedhor, në bashkëpunim me MEPJ, jemi duke hartuar një kalendar për të vizituar shtetet ku kemi kërkesa të larta për aplikim për dokumente biometrikë. Grupet tona “mobile” do të punojnë me kapacitete të shtuara. Për sa u përket datave përkatëse ku ne do të vizitojmë vendet europiane apo SHBA, do t’i publikojmë në ditët që pasojnë”, nënvizoi ajo.

Në këtë vit elektoral vota e diasporës pritet të jetë një nga risitë e 11 majit 2025. Për këtë KQZ ka hapur një platformë për regjistrimin e zgjedhësve shqiptarë që jetojnë jashtë. Regjistrimet kanë filluar më 11 janar, e deri më tani janë regjistruar mbi 13 mijë emigrantë më së shumti nga Italia, Greqia dhe Gjermania.

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë