TIRANË-Partia Demokratike nëpërmjet deputetit Halimi ka komentuar për  hedhjen në fletoren zyrtare të vendimit të Kushtetueses për nëpunësin civil, duke e quajtur një fitore të kushtetueshmërisë dhe të qytetarëve.
 
“Kryeministri mbajti peng botimin e vendimit me qëllimin e qartë të hedhjes në rrugë të punonjësve, sikur të ishin pushtues. Qindra qyqetarë janë lënë pa rrogë, familjet e tyre janë lënë pa bukë.Ndaj dhe vendimi i Gjykatës, që e shpalli si antikushtetues ligjin për nëpunësin civil përbën nje fitore të kushtetutës, një fitore të më shumë se 500 punonjësve që janë hedhur në rrugë”-tha Halimi.
 
Sipas Eduard Halimit, beteja për nëpunësin civil, nuk është betejë e politikës dhe as e PD, por çështje kryesore për integrimin evropian të vendit.
 
“BE e vendosi si kusht këtë ligj dy vite me parë, me kushtin e panegociueshëm për ta miratuar. Të gjithë vendosën se ligji i shkruar dhe i vendosur nga BE, do të hynte në fuqi në 1 tetor, si një kusht për të filluar rrugën e integrimit.
Alibia se kryeministrit i mungonin aktet nënligjore u rrëzua nga gjykata duke i thënë qartë se akti është antikushtetues. Partia demokratike i bën thirrje qeverisë të zbatojë pikë për pikë gjykaten. Të mos nëpërkëmbë qytetarët e aspiraten e tyre për integrimin evropian.”-u shpreh ish ministri Drejtësisë.
 

Redaksia Online
(ak/Shqiptarja.com)