Sot ka nisur të japë efektet edhe ligji i “nëpunësit civil”, miratuar me konsensus mes PD dhe PS ne vitin 2013 në Kuvend. Me botimin në Fletore Zyrtare nga sot ndryshon edhe procedura për emërimin dhe shkarkimin e nëpunësve civile. Gjithashtu do të pezullohet çdo konkurs i shpallur nga institucionet shtetërore sipas përcaktimeve që bën ligji i vjetër.
Rekrutimet duhet të bëhen sipas normave që vendos ligji i ri i “Nëpunësit Civil” dhe përparësi u jepet atyre nëpunësve që janë aktualisht të punësuar në një institucion
Gjithashtu edhe lista e pritjes gjithashtu nuk ekziston, pasi ligji detyron që nëpunësi civil të cilit i preket vendi nga ristrukturimi duhet të lëvizet në një pozicion paralel.
Këto procedura do të zbatohen derisa maxhoranca të miratojë 16 amendamentet e reja për ligjin për nëpunësin civil, të cilat u shtynë dhe nuk u përfshinë në kalendarin trejavor të parlamentit.
Partia Demokratike përmes deputetit Halimi qeveria vonoi qëllimisht publikimin e tij, dhe se sipas PD ligji i ka dhënë efektet që në datën 1 tetor të vitit të kaluar.
Në vendim nr. 5 datë 05.02.2014 Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si të papajtueshëm me Kushtetutën të aktit normativ të Këshillit të
Ministrave nr.5, datë 30.09.2013 “Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 ‘Për nëpunësin civil’” dhe të ligjit të Kuvendit nr.161/2013 “Për miratimin e aktit normativ nr.5, datë 30.09.2013”. Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë hynte në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare, pra sot.
Burime nga Qendra e Botimeve Zyrtare konfirmuan dje për "A1 Report" dhe "Shqiptarja.com" se vendimi do të publikohej sot.
"Kemi bërë një punë intensive për të arritur afatin ligjor për publikimin e vendimit. Afati i fundit zyrtar për publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është 26 shkurti"- thanë dje burimet.
DISA FAKTE PËR NËPUNËSIN CIVIL
Më 30 maj të 2013 Parlamenti u mblodh në një seancë të jashtëzakonshme për të miratuar tri draftet e kërkuara nga Brukseli, por me t’u miratuar, kabineti Berisha nuk hartoi as një akt nënligjor i cili do të mund të fuqizonte ligjin e nëpunësit civil i votuar unanimisht.
Ligji kishte një klauzolë që si datë për fuqizimin e saj të ishte 1 tetor, pra pak ditë pasi kabineti qeveritar i Edi Ramës të kishte nisur nga puna. Me aktin normativ shtyhej me 6 muaj hyrja në fuqi e ligjit për Nëpunësin Civil.
Më 13 dhjetor 2013 Gjykata Kushtetuese rrëzoi aktin normativ duke e quajtur antikushtetues.
Më 5 shkurt Gjykata Kushtetuese botoi të zbardhur vendimin e saj për rëzimin e Aktit Normativ të qeverisë për Nëpunësin Civil.
Më 8 shkurt 2014 Ministrja Inovacionit edhe Administratës Publike deklaroi se nëpunësit e larguar nga administrata, nuk do të kthehen më në vendet ku kanë qënë pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Më 13 shkurt 2014 Qeveria miratoi një projektligj i cili bën disa ndryshime në ligjin “Për Nëpunësin Civil”. Projektligji përbëhet nga 16 nene që do të thotë se në draftin e miratuar në seancën e jashtëzakonshme plenare të 30 majt të vitit 2013 do të pësojë një ndyshim në 16 sektorë të ligjit.
Më 21 shkurt 2014 PD i kërkon qeverisë të tërheqë menjëherë projektligjin famëkeq që synon shkatërrimin e ligjit konsensual për Nëpunësin Civil që ka qenë dhe është një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE; Të zbatojnë menjëherë vendimin Gjykatës Kushtetuese që e cilëson antikushtetues aktin normativ për këtë ligj.
Më 25 shkurt 2014 shtyhet përfshirja në kalendarin tre javor të punimeve të Kuvendit e 16 amendamenteve. Mazhoranca thotë se kërkon konsensusin e opozitës.
Më 26 shkurt 2014 Vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese botohet në Fletoren Zyrtare.
Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)