Ministri i Jashtëm grek mbërriti në takimin me Bushatin disa minuta me vonesë për shkak të bllokimit të rrugës nga protesta e çamëve para ministrisë.

Ai u detyrua të hyjë nga hyrja anësore e godinës për të shmangur përballjen me protestuesit, por nuk u duk aspak i nervozuar gjatë takimit me homologun Bushati.

Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për gazetarët që shoqëronin Kotzias, pasi në pritje të fillimit të konferencës nuk kursyen sharjet në greqisht për Shpëtim Idrizin dhe njerëzit dhe protestuesit e tjerë.

Idiot, budalla. Si guxon ai të mbledhë disa njerëz dhe të na bllokojë rrugën?” u shprehën gazetarët.

Gjatë gjithë konferencës dëgjoheshin në sfond thirrjet e çamëve që protestonin. E njëjta situatë dhe në momentin e largimit.

Ministri jashtëm grek u detyrua të presë disa minuta në makinë duke pritur shpërbërjen e turmës, ndërsa homologu Bushati qëndronte në këmbë në shkallët e ministrisë për ta përcjellë.
 

 Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com