Nesër Basho në gjykatë, Akuza:
Pagoi 2 vrasës ordinerë

Nesër Basho në gjykatë, Akuza:<br />Pagoi 2 vrasës ordinerë
TIRANE-  Dy antena telefonike nxjerrin zbuluar tre autorët e dyshuar të vrasjes së laborantes 33-vjeçare Eleni Basho. Dy antena në Shkozë kanë arritur të nxjerrin të dhëna të vlefshme për hetimet e policisë dhe prokurorisë për sa i përket identifikimit të autorëve të kësaj vrasje. Nga të dhënat paraprake antenat tregojnë se i arrestuari i vetëm për momentin Ilia Basho, në mbrëmjen e 2 shkurt para se të ndodhte krimi, ka komunikuar me dy numra celularë që për momentin janë në fazën e verifikimit për të mësuar se nga kush persona janë përdorur. Sipas burimeve pranë organit të akuzës kryeqytetase, dy numrat aktualisht qëndrojnë të mbyllur, duke e bërë të pamundur lokalizimin e vendodhjes së përdoruesve së tyre. Burimet shtojnë se është vërtetuar se Ilia Basho, ka kryer telefonata nga ambjentet e kompanisë, ndërkohë personat për të cilat prokuroria ka ngritur dyshimet e saj, rreth rolit të tyre në vrasje, kanë qënë në zonën e Shkozës, shumë afër ku ka ndodhur dhe vrasja me tre plumba e 33-vjeçares Eleni Basho. Të gjitha këto kanë ngritur dyshime të arsyeshme tek anëtarët e grupit hetimor, të cilët aktualisht janë duke punuar intesivisht për mbledhjen e provave materiale që do të faktojnë krimin e bërë ndaj nënës së dy fëmijëve Eleni Basho. Ndërkohë që të pyetur nga gazeta "Shqiptarja.com" se sa është shuma financiare që Ilia Basho mund të ketë paguar vrasësit e gruas së tij, burimet thanë se ende një gjë e tillë nuk dihet, duke hedhur dyshime se personat që janë paguar mund të jenë kontigjent kriminal, kryesisht në grabitje apo krime ordinere.
RENGU
Pas vrasjes së laborantes dhe biznesmenes Eleni Basho, policia dhe prokuroria mobilizuan menjëherë një grup hetimor, i cili brenda 20 ditëve arriti të siguronte prova që implikojnë në vrasje burrin e viktimës, Ilia Basho. Rreth orës 22:45 prokuroria e kryeqytetit ka firmosur urdhërin e ndalimit për shtetasin e dyshuar si autor të krimit. Mësohet, se Basho është telefonuar nga oficerët e policisë, të cilët i kanë kërkuar të paraqitej urgjent në Drejtorinë e Policisë Tiranë, pasi duhej të zhvillonin një seancë pyetjesh, për shkak të konfirmimit të disa informacioneve të mara në rrugë operative. Kësaj thirrjeje i arrestuari Ilia Basho, i është përgjigjur pozitivisht ku në orët e vona të natës ai është nisur nga banesa e tij në Tiranë, duke u paraqitur në policinë e kryeqytetit. Këtu e prisnin disa oficerë të policisë dhe prokurori që drejton hetimet rreth vrasjes së 33 vjeçares Eleni Bashos. Sapo është ulur përballë grupit hetimor, Bashos i është komunikuar vendimi për ndalimin e tij, për shkak të implikimit në vrasjen e bashkëshortes së tij.
MOHIMI I AKUZES
Sapo i kanë komunikuar urdhërin për ndalimin e tij Ilia Basho është tronditur, ndërkohë që balli filloi t'i mbushej me bulëza djerse. Oficerët dhe prokurori i kanë kërkuar që të njoftonte një avokat, pasi këtë herë nuk do pyetej më si person që ka dijeni mbi rrethanat e ngjarjes por si person ndaj të cilit zhvillohen hetimet. Pas paraqitjes së avokatit mbrojtjës, Ilia Basho është marë në pyetje për rreth tre orë me rradhë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Gjatë dëshmisë së tij, 38-vjeçari Basho s'ka pranuar asnjë nga pretendimet e grupit hetimor. Ai është shprehur se është i pafajshëm dhe se nuk kishte arsye përse duhet të vriste nënën e dy fëmijëve të tij. Por pavarësisht kësaj hetuesit kanë urdhëruar izolimin e Ilia Bashos në një nga dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Tiranë.

NESER BASHO NE GJYKATE
Pritet që ditën e nesërme i arrestuari për akuzën e vrasjes me paramendin Ilia Basho, të dalë para gjykatës së Tiranës ku do të njihet me masën e sigurimit. Burime pranë prokurorisë thanë se do kërkojnë në gjykatë caktimin e masës së "arrestit në burg", pasi personi i arrestuar deri në këto momente është implikuar në vrasjen e bashkëshortes së tij. Prokuroria u shpreh se seancën do kërkojnë ta zhvillojnë me dyer të mbyllura, për shkak dhe të kompleksitetit të ngjarjes.


MARRJA E PARAVE, DËSHMITË KONTRADIKTORE TË ILIAS
Këstin e fundit të parave, Ilia Basho, sipas policisë e ka marrë më datën 1 shkurt 2012, një ditë përpara se bashkëshortja e tij Eleni të gjendej e ekzekutuar me tri plumba pas shpine, pranë vilës së tyre në Shkozë të Tiranës. Policia thotë se nuk dihet destinacioni i këtyre parave të marra prej bashkëshortëve, nëse janë kaluar në llogarinë e Eleni Bashos apo kanë patur një tjetër destinacion. Vetë bashkëshorti i Elenit, Ilia Basho është shprehur për mediat se deri tani kishte marrë 25 mijë euro dhe ngeleshin dhe 75 mijë euro për të marrë. Mësohet se në polici Ilia Basho është shprehur se “paratë ia kishte dhënë Elenit, por nuk ishte në gjendje të thoshte nëse ishin depozituar në bankë apo jo”. Pas këtyre deklarimeve në polici, Basho më vonë u shpreh për mediat se “kishte dyshimin që vrasjen mund ta kishte kryer edhe dikush që kishte dijeni se Eleni kishte me vete eurot”. Përtej këtij dyshimi të bashkëshortit, policia ka të qartë deri më tani se ka qenë Ilia Basho personi që ka marrë i pari në dorë këstet e pagesave prej ish-ortakut Bituni dhe jo Eleni dhe ende është në proces verifikimi alibia e bashkëshortit, se, pasi ka marrë lekët, ia ka dhënë së shoqes. Në këtë pikë të hetimit, policia është tejet e rezervuar duke mos ofruar detaje të mëtejshme.
(Shkrimi eshte botuar ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane