Një fakt të tillë e ka bërë të ditur dje në mbledhjen e grupit parlamentar Gramoz Ruçi i cili ka lajmëruar deputetët socialistë që janë automatikisht dhe anëtarë Asambleje axhendën e mbledhjes së këtij forumi për ditën e premte.
Nga ana tjetër mësohet se në këtë mbledhje të radhës pritet të marrë pjesë dhe ish-kryetarit, njëherësh dhe ish-kryeministri socialist Fatos Nano. I cili është anëtar i këtij forumi më të lartë drejtues të Partisë Socialiste në periudhën mes dy kongreseve, me statusin e ish-kryetarit të PS dhe ish-kryeministrit. Ndonëse nuk ka marrë pjesë asnjëherë në mbledhjet e Asamblesë së PS, ndonëse është dhe i deleguar në qarkun e Tiranës nga kryesia e PS si anëtar i Asamblesë për punën me bazën, nga burime afër ish-kryetarit socialist mësohet se Nano mund të jetë në këtë mbledhje forumi të ditës së premte, ndoshta dhe për të diskutuar dhe debatuar për rrugët më efikase të organizimit të strukturave të partisë për një fitore në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013.
Burimi afër Nanos saktëso se ai ka ardhur ditën e hënë në Tiranë dhe pritet të qëndrojë deri në fund të javës, ndoshta për të marrë pjesë në Asamble, pasi ajo sipas tij në mënyrë të çuditshme është afruar një javë përpara datës së përcaktuar kohë më parë. Duke mos qënë i sigurtë për pjesmarrjen e tij në këtë mbledhje, Enver Reçi një ndër bashkëpuntorët e tij shprehet se e vetmja garanci për të është se Fatos Nano është për fitoren e së majtës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe këtë e mendon duke e bashkuar tërë të majtën përballë Berishës.
Ndërkohë nuk precizohet nëse do të lexojë ose jo platformë në mbledhjen e Asamblesë së PS, por ajo që është e sigurtë është fakti se nëse merr pjesë Nano pritet që të flasë gjatë. Ndërkohë që kreu socialist Rama në Asamble do të bëjë prezente platformën qeverisëse të së majtës, ku theksi kryesor është vënë tek ekonomia, punësimi, arsimi, reformi i sistemit të drejtësisë dhe elementë të tjerë bazë në qeverisjen e nesërme të vendit. Një platformë e cila do të pasurohet më tej gjatë prezantimit dhe diskutimit me qytetarët deri në zgjedhjet e vitit 2013.
Njëherësh do të diskutohet dhe për punën me bazën, pastrimin e listave të zgjedhësve nga dulikimet, marrëdhëniet me aleatët dhe strategjia e PS për të përcjellë te qytetarët fakte për keqqeverisjen e të këtij koalicioni dhe përse e majta duhet të vijë në pushtet për të ndryshuar vendin.
(su.fu/Shqiptarja.com)