Edi Rama i’u është përgjigjur akuzave të protestuesve që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, të cilët pretendojnë se ‘kryeministri po e shet Shqipërinë’.
Gjatë fjalës së tij në Vlorë për 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, Rama tha se nëse ai do të shiste Shqipërinë, atëherë ishulli i Sazanit do të ishte privatizuar.
Sipas Ramës, Sazanin e kanë kërkuar edhe investitorë të tjerë që ta bëjnë destinacion turistik, por ai shtoi se qeveria e tij nuk ka pranuar që ta ofrojë ishullin për ta privatizuar, ashtu siç sipas kryeministrit kanë bërë paraardhësit e tij në krye të Qeverisë.
Kryeministri Rama tha se Shqipëria është përdhunuar shumë kohë para se ai të merrte drejtimin e Qeverisë.
“Ndërkohë që ata flasin për pronat, se po shitet Shqipëria. Shqipëria është përdhunuar shumë kohë para se ju të më jepnit besimin të drejtoja. Është përdhunuar nga honxhobonxhot kur titujt e pronësisë i morën nga kutitë ku ruheshin. Shqiptarët e viteve 1991-1992 i morën dhe i bënë fije-fije letrat e pronës. E bënë aq të madh çorapin sa sot paguhen pasojat.
Ne nuk mund të themi se e ç’kollopsëm tërë atë çorap, por themi se kemi bërë shumë për të vënë rregull dhe të zeza si ato të zeza që dalin mbi ujë për pronat ne s’kemi bërë kurrë. Po të ishim ne ata që shisnim Shqipërinë, do të ishte privatizuar Sazani.
Sazanin kanë dashur edhe të tjerë ta bëjnë destinacion turistik, por ne s’po bëjmë atë që bënë të tjerët, që e ofruan Sazanin për ta privatizuar. Pavarësisht se ata që na erdhën janë shumë herë më të fuqishëm, u kemi thënë se Sazani është tokë dhe pronë e popullit shqiptar dhe se në Sazan janë të mirëpritur të investojnë”, deklaroi kryeministri Rama.
Lajmi kryesor:
35-vjetori i PS në Vlorë/ Rama mbledh socialistët në Sheshin e Flamurit: Investimi 4 miliardë dollarë në Zvërnec do të jetë bekim për gjithë Shqipërinë
