Kryeministri i Holandës Mark Rutte do të zhvillojë nesër një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku pritet që të rikonfirmojë edhe një herë kështu mbështetjen e Holandës për vendin tonë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Rutte do të pritet në një ceremoni zyrtare nga Kryeministri Edi Rama, me të cilin më pas do të ketë edhe takim. Konferenca për shtyp e 2 kryeministrave do të jetë në mesditë, ndërsa axhenda e Rutte përmbyllet me një vizitë në ambientet e Piramidës, për projektin e rijetëzimit në një qendër teknologjie.
Agjenda e vizitës së Kryeministrit të Holandës Mark Rutte në Shqipëri:
11.20 - Ceremonia e mirëseardhjes (Blv “Deshmoret e Kombit”, hyrja kryesore e Kryeministrisë)
11.30 - Takimi i homologëve Z.Rama-Z.Rutte
11.55 - Takim i delegacioneve Holandë-Shqipëri
12.30 - Konference për shtyp i Kryeministrit Rama dhe Kryeministrit të Holandës Rutte
14.00 - Vizitë në ambientet e Piramidës, për projektin e rijetëzimit në një qendër teknologjie
Ardhjen e kryeministri holandez në Tiranë, kreu i qeverisë shqiptare e konfirmoi pak javë më parë gjatë një takimi në selinë e OKB-së. Kujtojmë se Holanda, një prej vendeve më skeptike ndaj integrimit të Shqipërisë në BE, ka ndryshuar krejtësisht qëndrim, pasi kritikoi hapur Bullgarinë për pengesën që po bën ndaj Maqedonisë së Veriut. Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha gjatë Samitin e Brdos në Slloveni, se nuk ishte i kënaqur me qëndrimin e mbajtur nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut, një vendim që po pengon gjithashtu edhe negociatat me Shqipërinë.
“Ne duhet të presim për zgjedhjet në Bullgari, por nuk jam i kënaqur me faktin se nisja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut është ende e bllokuar. Unë mendoj se duhet të zhbllokohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ne e dimë se do të ndodhë, me shumë shpresë, pas zgjedhjeve në Bullgari. Ne do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që mundemi për ta arritur atë ”, tha kryeministri Rutte në Samit.