DURRËS- Shqipëria merr më 8 prill në dorëzim një anije ushtarake nga qeveria italiane për Forcën Detare shqiptare. Anija mbërrin më 8 prill në brigjet e Durrësit, ku në orën 09:00 do të mbahet edhe ceremonia e dhurimit të kësaj anije ushtarake për vendin tonë.

Ka qenë vetë kryeministri Rama që duke prezantuar programin e PS lajmëroi se Flota Detare e Shqipërisë do të pajiset me një super anije.

“Flota detare e Republikës së Shqipërisë, siç thashë do të ketë një super anije së shpejti dhe do të bëhet me tre anije luftarake të reja”, tha kreu i qeverisë.

Kjo anije do të jetë e tipit korvetë, “Cassiopea”, e marinës ushtarake italiane. Parashikohet që kjo anije, pas një servisi dhe remonti të përgjithshëm, do të jetë aktive për shërbim deri në 15 vitet e ardhshme. Në ceremoni sipas mediave, pritet të marrë pjesë edhe ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto.

Korveta pritet të dorëzohet nën shoqërinë e krenarisë së marinës italiane, Amerigo Vespucci, e cila është një ndër anijet më të bukura që lundron anembanë botës.