Kryetari i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla në një prononcim për mediat nga Ballshi tha se procesi për zgjedhjen e presidentit do të jetë për herë të parë shumë transparent dhe një proces qe do te këtë një standard.

“Procesi që Partia Socialiste për herë të parë drejton në mënyrë të drejtpërdrejtë të zgjedhjes se presidentit të Republikës pas shume vitesh do të jetë shumë transparent dhe një proces qe do te këtë një standard për zgjedhjen e presidentit pas kësaj radhe. Ne na duhet një president qe te respektoj normën kushtetuese, president normal dhe mbi te gjitha një president qe na bashkon. Një president qe përfaqëson unitetin kombëtare. Ky do te jete një proces qe fillon prej ditës së nesërme e që do të ecim përpara. Procesi ka disa garanci dhe disa verifikime.”, tha Balla.

Balla pritet që në orën 13:00 të zhvillojë një bashkëbisedim me gazetarët.

Nesër, Partia Socialiste pritet që të mbledhë Grupin Parlamentar ku do të bëhet dorëzimi i emrave të propozuara nga deputetët socialist për presidentin/en e re. Partia Socialiste e cila ka edhe mazhorancën e parlamentit ka ngritur edhe grupin e punës që do të zhvillojë konsultimet me grupet e tjera e parlamentare në Kuvend, për të përzgjedhur një emër konsensual.

PS ka mandatuar Taulant Ballën, Elisa Spiropalin dhe Damian Gjiknurin për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit. Ilir Meta do të jetë në krye të Presidencës deri më 24 korrik 2022, ndërsa Kuvendi duhet të nis procesin e zgjedhjes së tij jo më vonë se 24 maji 2022 sipas Kushtetutës.