Nesër përvjetori i 14-të i pavarësisë së Kosovës, urojnë Biden, Steinmeier dhe mbretëresha Elisabeth! Ja mesazhet që përcollën

Nesër përvjetori i 14-të i pavarësisë së Kosovës, urojnë Biden, Steinmeier dhe mbretëresha Elisabeth! Ja mesazhet që përcollën

Joe Biden dhe Frank-Walter Steinmeier

Një ditë përpara përvjetorit të 14-të të pavarësisë së Kosovës, presidenti i SHBA Joe Biden dhe ai Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier kanë uruar homologen e tyre, Vjosa Osmani.

Në letrën e urimit, Biden është shprehur se SHBA do të vazhdojë me mbështetjen ndaj Kosovës në përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë që përfundon me njohje reciproke.

Osmani ka marr letër urimi edhe nga presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier nëpërmjet ambasadorit Jorn Rohde, me të cilin ka biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon.

Edhe kryetari kroat i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiç e ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Biden: Mbështesim përpjekjet e Kosovës për një marrëveshje për njohje reciproke me Serbinë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden i ka shkruar letër urimi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, duke vlerësuar lartë të arriturat e Kosovës. Veç tjerash ai ka thënë se Kosova ka vend të veçantë në zemrën e familjes së tij.

Në letrën e urimit, dërguar presidentes Osmani, Biden po ashtu ka bërë të ditur se janë të kënaqur që Kosova po ndërton dhe forcon marrëdhëniet pozitive me fqinjët.

Biden ka thënë se do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë që përfundon me njohje reciproke.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë ta mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke”, thekson në letër Biden, transmeton Telegrafi.

Presidenti amerikan ka theksuar po ashtu që Kosova ka dëshmuar lidership në skenën ndërkombëtare.

“Vitin e kaluar, Kosova vazhdimisht demonstroi lidership në skenën ndërkombëtare. Nga ofrimi i strehimit të sigurt për të pambrojturit deri te forcimi i sigurisë globale dhe bashkëvendosja përkrahë ushtrisë amerikane në Kuvajt, populli I Kosovës i ka dëshmuar botës trimërinë dhe bujarinë e tij”, shkruan tutje Biden.

Në fund ai po ashtu ka theksuar se në zemrat e familjes së tij, Kosova ka një vend të veçantë.

Po ashtu, ka falënderuar për medaljen presidenciale të ndarë post-mortem për djalin e tij, Beau vitin e kaluar.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke e bërë publike letrën përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se SHBA-ja mbetet partner i palëkundur i Kosovës.

“Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës. Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Në urimin e tij, Presidenti Biden ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë”, shkruan Osmani.

Tutje, ajo shton se, “Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me ShBA-të”.

Ambasadori Rohde i përcolli presidentes Osmani urimin e presidentit gjerman për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jorn Rohde, i cili i ka dorëzuar asaj telegramin e urimit të presidentit gjerman Frank-Ëalter Steinmeier, për 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Presidentja Osmani e ka falënderuar ambasadorin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit gjerman ndaj Kosovës.

Në takim është biseduar për situatën e përgjithshme në vend dhe rajon. Palët diskutuan edhe për punën e institucioneve të Kosovës të cilat kanë realizuar reforma përmbajtjesore në fushën e sundimit të ligjit.

Ambasadori Rohde ka vlerësuar përparimin e dukshëm në luftën kundër korrupsionit. U diskutua se me parametra të tillë, të cilët ndihmojnë në forcimin e rendit dhe të ligjit, krijohen kushte për investitorë të jashtëm.

Kryetari i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës uron presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Edhe kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljko Komshiq e ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e festës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

“Të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe juve personalisht, në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, ju uroj festën e Pavarësisë. Të inkurajuar dhe të kënaqur nga përparimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve mike, jemi të bindur se rruga e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe çdo tjetër bashkëpunimi dhe marrëdhënieve miqësore ndërmjet Bosnjës e Hercegovinës dhe Republikës së Kosovës do të jetë e një rëndësie të veçantë për qytetarët e vendeve tona”, thuhet në urimin e kryesuesit kroat të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, transmeton Telegrafi.

“Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Kosovës ndajnë prioritete të përbashkëta strategjike të politikës së jashtme, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Vetëm së bashku dhe në bashkëpunim me partnerë që ndajnë të njëjtat vlera mund të arrijmë qëllimin tonë”, thuhet në mesazhin e Zheljko Komshiç.

Ndryshe, të enjten do të shënohet 14 vjetroi i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Për nder të kësaj feste do të jetë ditë pushimi.

Mesazhi i Joe Biden

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:01
Mbretëresha e Britanisë uron Kosovën për Ditën e Pavarësisë: Uroj që të kemi periudha më të mira në të ardhmen

Me rastin e 17 Shkurtit, pavarësisë së Kosovës, Mbretëresha e Britanisë së Madhe, Elizabeth II ka uruar presidenten Vjosa Osmani. Në urimin e saj, Mbretëresha e Anglisë, thekson se shpreson që dy shtetet të kenë periudha më të mira në të ardhmen.

“Me rastin e festës së rëndësishme të ditës suaj të pavarësisë, dua ta përgëzoj Shkëlqesinë Tuaj dhe t’ia dërgoj urimet e mia popullit të Kosovës. Ndërsa i kapërcejmë sfidat globale shëndetësore së bashku, me vendosmëri dhe këmbëngulje, uroj që të kemi periudha më të mira në të ardhmen”, thuhet në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth.

Ndërkaq Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretëreshën Elizabeth dhe ka pohuar se Mbretëria e Bashkuar është aleat strategjik i Kosovës dhe e ka mbështetur vendin tonë jo vetëm në procesin e arritjes së lirisë, por edhe në procesin e shtetndërtimit.

Ora 14:26
Presidenti gjerman uron Kosovën për pavarësinë: Luftimi i korrupsionit faktor në perspektivën e rinisë

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka rikujtuar rëndësinë e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Ai i ka dërguar të mërkurën (16 shkurt) një letër urimi Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, lidhur me përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë letër ai ka thënë se “Gjermania mbështet fuqishëm perspektivën e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian”.

“Një rëndësi të madhe merr realizimi me vendosmëri i agjendës së rëndësishme të reformave të qeverisë suaj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky do të jetë një faktor qendror në krijimin e perspektivave për të rinjtë në Kosovë, forcimin e ekonomisë, investimet e reja si dhe hapjen e vendeve të punës”, tha Presidenti i Gjermanisë.

Tutje ai ka thënë se dialogu me Serbinë “mbetet me gjasë sfida më e madhe e politikës së jashtme për Kosovën”.

Urimin e Steinmeier e ka bërë publik Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duke e falënderuar Gjermaninë për përkrahje ndaj Kosovës.

“Kosova është me fat që përgjatë rrugëtimit të saj sfidues ka pranë shtete si Gjermania dhe miq si Presidenti Steinmeier”, shkroi Osmani në Facebook.

Edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden në një letër dërguar Osmanit më 15 shkurt tha se Uashingtoni vazhdon të mbështesë dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që sipas tij, duhet të përfundojë me njohje reciproke.

“Jemi të kënaqur që Kosova po vazhdon të ndërtojë dhe forcojë marrëdhëniet e saj pozitive me vendet fqinje dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet tuaja drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, të përqendruar në njohje reciproke”, tha Biden në letrën dërguar Osmanit./ REL

J.GJ./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, demokratët shpërdoruan taksat e amerikanëve për të goditur

Trump: Akuzat penale ndaj meje ishin rrëmbim politik, demokratët shpërdoruan taksat e amerikanëve për të goditur