Në një mbledhje që do të mbahet ditën e nesërme Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, që do të zëvendësojë Altin Dumanin.
Në një takim të sotëm të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, ky i fundit kërkoi që anëtarët e KLP-së të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së.
“Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, mori fjalën në takimin e sotëm të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u diskutuan mënyrat për të rritur efikasitetin, cilësinë dhe integritetin në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi dy çështje që mbeten kryesore për gjyqësorin: vlerësimet realisht transparente dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe standardeve për sigurinë në gjykata.
Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”,- shkruhet në postimin e BE-së në rrjetet sociale.
Edhe ambasada britanike në Tiranë kërkon që zgjedhja e kreut të ri të SPAK të bëhet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente.
"Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer",- shkruan ambasada britanike.
Komente










