NYT: Shqipëria dritë jeshile projektit të Jared Kushner ndërsa Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë! Qeveria do pastrojë ishullin nga municionet

NYT: Shqipëria dritë jeshile projektit të Jared Kushner ndërsa Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë! Qeveria do pastrojë ishullin nga municionet

Projekti i Kushner ne Sazan

Vendimi i qeverisë shqiptare për të shpallur investitor strategjik kompaninë e Jared Kushnere, dhëndrit të Donald Trump për të ndërtuar një resort luksoz në Sazan ka marrë vëmendjen e mediave amerikane.

'New York Times': Shqipëria i jep dritën jeshile projektin e Hotelit të Jared Kushner-it ndërsa Trump kthehet

Projekti është një ndër disa iniciativa që anëtarë të familjes së Presidentit të zgjedhur, Donald J. Trump, kanë me vende të huaja që kanë çështje politike në pritje me Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e Shqipërisë ka dhënë miratimin paraprak për një plan të propozuar nga Jared Kushner, dhëndri i Donald J. Trump, për të ndërtuar një kompleks luksoz hoteli prej 1.4 miliardë dollarësh në një bazë të vogël ushtarake të braktisur pranë bregdetit të Shqipërisë.

Ky projekt është një nga disa projekte të tjera ku përfshihen zoti Trump dhe familja e tij e zgjeruar, që lidhen drejtpërdrejt me entitete qeveritare të huaja dhe që do të ecin përpara edhe pse Trump do të jetë përgjegjës për politikën e jashtme në lidhje me këto vende.

Miratimi nga Komiteti Strategjik i Investimeve i Shqipërisë — i kryesuar nga Kryeministri Edi Rama — i jep Kushner-it dhe partnerëve të tij të biznesit të drejtën për të avancuar me negociata të përshpejtuara për ndërtimin e resortit luksoz në një zonë prej 111 akrash në ishullin Sazan, (Shënim editorial: 8 përqind të ishullit apo në një sipërfaqe prej 45 hektarësh) i cili do të lidhet me traget me tokën.

Zoti Kushner dhe qeveria shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të mërkurën, 15 janar 2025. Por më parë, kur janë pyetur për këtë projekt, të dyja palët kanë deklaruar se vlerësimi nuk ndikohet nga lidhjet e Kushner-it me Trump-in ose përpjekjet për të kërkuar favore nga qeveria amerikane.

“Fakti që një sipërmarrës amerikan i njohur shfaq interes për të investuar në Shqipëri na bën shumë krenarë dhe të lumtur,” tha një zëdhënës i zotit Rama vitin e kaluar në një deklaratë për The Neë York Times kur u pyet për projektin.

Firma e Kushner-it, Affinity Partners, një kompani private investimesh e mbështetur kryesisht nga 4.6 miliardë dollarë fonde sovrane nga Arabia Saudite dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme, po ndjek projektin në Shqipëri së bashku me Asher Abehsera, një ekzekutiv i pasurive të paluajtshme me të cilin Kushner ka bashkëpunuar më parë për projekte në Brooklyn, Nju Jork.

Qeveria shqiptare, sipas një dokumenti zyrtar të postuar së fundmi online, do të punojë tani me partnerët amerikanë për të pastruar zonën e hotelit të propozuar nga ndonjë municion i mundshëm i varrosur dhe për të shqyrtuar çdo shqetësim tjetër mjedisor ose ligjor që duhet zgjidhur para se projekti të vazhdojë.

Dokumenti, i datës 30 dhjetor 2024, vëren se qeveria “ka të drejtë të revokojë vendimin,” në varësi të negociatave përfundimtare të projektit.

Firma e Kushner-it ka deklaruar se plani është ndërtimi i një “komuniteti eko-resort me pesë yje” në ishull duke e kthyer një “ish-bazë ushtarake në një destinacion ndërkombëtar të gjallë për mikpritje dhe mirëqenie.”

Ivanka Trump, vajza e zotit Trump, ka thënë se po ndihmon gjithashtu në këtë projekt. “Ne do ta realizojmë atë,” tha ajo për projektin gjatë një podkasti vitin e kaluar.

Ky projekt është vetëm një nga dy marrëveshje të mëdha pasurish të paluajtshme që Kushner po ndjek së bashku me Abehsera-n dhe që përfshin qeveri të huaja.

Ndërkohë, partneriteti mori miratimin paraprak vitin e kaluar për të ndërtuar një kompleks luksoz hoteli në Beograd, Serbi, në ndërtesën e ish-ministrisë së mbrojtjes, që ka qëndruar bosh për dekada pasi u bombardua nga NATO në vitin 1999 gjatë një lufte atje.

Serbia dhe Shqipëria kanë çështje politike në pritje me Shtetet e Bashkuara, ndërsa të dyja vendet kërkojnë mbështetje të vazhdueshme nga SHBA për përpjekjet e tyre të gjata për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian, dhe zyrtarët në Uashington po përpiqen të bindin Serbinë të forcojë lidhjet me SHBA-në, në vend të Rusisë.

Virginia Canter, e cila ka shërbyer si juriste etike në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratave Obama dhe Clinton, dhe gjithashtu si këshilltare etike në Fondin Monetar Ndërkombëtar, tha se edhe nëse nuk ka përpjekje për të fituar ndikim me Trump-in, çdo marrëveshje qeveritare që përfshin familjen e tij krijon atë përshtypje.

“Gjithçka duket si favorizim, siç po ofrojnë akses për Kushner-in sepse duan të jenë në anën e mirë të Trump-it,” tha zonja Canter, tani me State Democracy Defenders Fund, një grup që ndjek korrupsionin dhe çështjet etike në qeverinë federale

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Kishte shkuar si turist, 21-vjeçari shqiptar kapet duke shitur kokainë! Feneri i thyer i makinës e tradhtoi, droga e fshehur në çorape dhe frigorifer

Itali/ Kishte shkuar si turist, 21-vjeçari shqiptar kapet duke shitur kokainë! Feneri i thyer i makinës e tradhtoi, droga e fshehur në çorape dhe frigorifer